100 ditë qeveri, Gruevski u zotua se po e zbaton edhe Marrëveshjen e Ohrit

Për afro një orë, kryeministri Nikolla Gruevski u lëvdua sot në kuadër të 100 ditëve të para të qeverisjes. Në mënyrë kategorike, ai numëroi projektet që ai dhe kabineti i tij kanë realizuar. Për 100 ditë, 116 projekte të realizuara plotësisht, ndërkohë që 554 projekte të tjera kanë filluar tashmë realizimin.

“Për vetëm 100 ditë kemi realizuar plotësisht 116 projekte, nga numri i përgjithshëm i projekteve që përfshihen në programin qeveritar. 554 projektet e tjera kanë filluar të realizohen gjatë kësaj periudhe dhe janë në vijim e sipër. Pra, këto paraqesin gjithsej 670 projektet tona. Ndërkohë po realizohen gjithashtu edhe 161 projekte shtesë, të cilat nuk ishin përfshirë më herët në programin qeveritarë”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër.

Gruevski u zotua se po e zbaton edhe Marrëveshjen e Ohrit, kriter i theksuar shpeshherë në raportet e ndërkombëtarëve. 

“Filluam të punojmë edhe në obligimet e marra, gjegjësisht zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit e cila paraqet bazë për forcimin e karakterit multi-etnik të shoqërisë sonë , si dhe për përparimin e raporteve mes bashkësive të ndryshme dhe respektimin e të drejtave kulturore. Në këtë drejtim gjatë periudhës së kaluar, janë zbatuar politika që burojnë nga kjo marrëveshje.  Në vazhdimësi punohet për përmirësimin e gjendjes së bashkësive jo shumicë, përmes integrimit të tyre në shoqëri, përmes arsimit dhe përfaqësimit të drejtë”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.

Sa i përket dialogut politik, Gruevski tha se ai varet nga vullneti i bashkëbiseduesit, LSDM-së, dhe se duhet ruajtur parimi i mosnënshtrimit. Sipas tij, opozita duhet të pranojë vullnetin e qytetarëve dhe të mos e nënçmojë atë. Gruevski tha se nuk mendon për zgjedhje të parakohshme, si zgjidhje e krizës politike në vend. Ai u shpreh sërish se prioritet kryesor i qeverisë vazhdon të mbetet integrimi i vendit në strukturat euro-atlantike. 

Lajme të ngjashme

Back to top button