Marrëveshje mes Rusisë e Ukrainës për gazin

Bashkimi Europian propozoi të premten një marrëveshje të përkohshme për t’i dhënë fund problemeve të gazit mes Rusisë dhe Ukrainë. Sipas propozimit të BE-së, Ukraina duhet t’i paguajë Rusisë deri në fund të dhjetorit, më shumë se 3 miliardë dollarë nga borxhi i madh që i detyrohet.

Në këmbim, Rusia do të rifillojë të furnizojë Ukrainën përgjatë muajve të ardhshëm me gaz me një çmim 385 dollarë për 1000 metër kub, 100 dollarë më pak se sa çmimi për të cilin po bisedohej javën e kaluar.

Ministri Rus i Energjitikës tha se marrëveshja ishte e pranueshme, ndërsa sinjale pozitive erdhën edhe nga homologu i tij ukrainas. Komisioneri europian për energjinë, Gynter Wtinger, gjithashtu u shpreh optimist për arritjen e marrëveshjes.

“Palët e pranishme në takim duhet të këshillohen edhe me qeveritë përkatëse, por mendoj se është një zgjidhje e realizueshme”, – tha Wtinger.

Ai la të kuptohej se Bashkimi Europian do të dalë garant për pagesën e borxheve nga ana e Ukrainës. Rreth 30% e gazit në BE importohet nga Rusia dhe gjysma e kësaj sasia vjen nëpërmjet tubacioneve që kalojnë përmes Ukrainës.

Problemet e mëparshme mes dy shteteve kanë sjellë mungesë të theksuar energjie gjatë dimrit në kontinent. Pas takimit të së premtes në Berlin, dy vendet do të ritakohen sërish atje javën e ardhshme, për të nënshkruar marrëveshjen përfundimtare./ OraNews/

Lajme të ngjashme

Back to top button