Rezervat

Mësuesi i moçëm rrinte ulur në qosh të dhomës, në kolltukun e vjetër, kurse kokën e kishte mbështetur në dorën e djathtë, me bërryl në mbështetësen e djathtë të kolltukut,  dhe mendonte për grevën e paralajmëruar të arsimtarëve. Për grevën dhe për masat antigrevë që po i paralajmëronte qeveria. Për ndryshimet e Ligjit, me të cilat arsimtari do të kridhej edhe më shumë në greminën e mjerimit material dhe të statusit të luhatur të mësuesit në këtë shoqëri. Mësuesi kërcënohej me këtë ligj me rezerva. Ti bën grevë për të drejtat tua, po në vendin tënd përnjëherë vjen rezerva! Janë masa të rënda këto. Tridhjetë e pesë vjet të plota i kishte kaluar në arsim. Tridhjetë e pesë breza të rinjsh kishte edukuar, ua kishte shpaluar gjuhën e bukur shqipe dhe i kishte zbuluar bukuritë e saj para fëmijëve, të cilët sot janë arsimtarë e nëpunës, janë të punësuar nëpër institucione e nëpër firma të ndryshme. Tridhjetë e pesë vjet kishte qenë mësues e tash përnjëherë… Sot – pas gjithë asaj pune e presin masa drakonike. Rezervat! Si shpërblim, a? Menjëherë kujtimi “ia ktheu anën tjetër të medaljes”. Në ditarin e pashkruar “u shfaq” njëri ndër nxënësit më të mirë që kishte pasur, njëfarë N., i cili në vend se të vazhdonte mësimet në klasën e katërt të shkollës së mesme, u tret dikah. Pas disa muajsh e mori vesh kishte shkuar në perëndim dhe ishte tretur në shumësinë e klasës punëtore. “Dëm”! tha vet me vete. “Varfëria e hëngër një talent, vendi i të cilit mbeti i zbrazët përgjithmonë në përpjekjet tona për të shkuar përpara”. Pas disa vjetësh e mori vesh se nxënësi të cilin ai e kishte mësuar ishte bërë një biznesmen i suksesshëm në perëndim. Atëherë u ndje shumë u lumtur. Mendoi se edhe ai ka hise në sukseset e nxënësit të vet. Pastaj i kujtoi nxënësit tjerë që kishin qenë të suksesshëm. Kështu e ka mësuesi. Vetëm ai i kujton dhe mendon për brezin e ri. Jo, edhe politika. Politika i konsideron të rinjtë si numra. Mësuesi si personalitete. Ka dallim këtu. Dallim cilësor. Kështu mendoi mësuesi. Pastaj… Pastaj e ndoqi rrugën e tij që kishte kaluar si arsimtar. Punë e mundimshme! E mundimshme, por edhe krenare! Në atë çast e preku ajo rryma e çuditshme e krenarisë dhe e ngriti kryet. E ndiqte dalëngadalë këtë shteg të kaluar si arsimtar, mundohej t’i kujtojë çastet më të bukura. Pastaj i krahasonte çastet e bukura me mundimet. Ishte me shumë çaste të bukura e stolisur kjo rrugë. Shumë. Po nuk ishin të pakta edhe hallet. Megjithatë ishte diçka që në të kaluarën ka qenë e veçantë: respekti që kishin populli ndaj mësuesit. Mësuesi – ka qenë njeri që nderohej e çmohej dikur. Tash është krejtësisht ndryshe. Një mjegull i doli para sysh. Një terr. E fërkoi ballin, i fërkoi sytë e pyeti: “Po tash”? Tash ka ardhur koha që mësuesin ta nënvleftësojnë politikanët arrivistë. Parvenitë. Dhe, natyrisht, këta arrivistë t’ia shkelin autoritetin e merituar, ndërsa për prestigj të arsimtarit as që mund të bëhet fjalë. Dhe, greva e arsimtarëve që duhej të mbahej këto ditë jo që nuk çmohej, por kërcënohej.

E hapi njërën nga gazetat e përditshme që kishte marrë dhe i kërkoi shkrimet që bënin fjalë për grevën. Dhe, sa e shfletonte gazetën, i silleshin ndër mend masat e qeverisë, ndryshimet e ligjit… E krahasoi arsimin si një kështjellë mbi të cilën ishte vendosur feneri i madh i cili u bënte dritë udhëtarëve dhe anijeve. Tash kjo kështjellë i dukej si një ngrehinë që po rrënohej, kurse feneri ishte i thyer nga stuhitë e ndryshme dhe në çdo çast mund të fikej. Si kalonte koha, situata keqësohej. Dhe, puna kishte ardhur deri në atë shkallë sa thoshin se po të dalin arsimtarët në grevë, qeveria do të caktuaka arsimtarë rezervë që t’i zëvendësonin me arsimtarë rezervë. Dhe, kjo punë qenka rregulluar me ligj. Nuk e kishte të qartë se çfarë do të thotë arsimtarë rezervë. E pyeste veten: kush mund të pranojë të bjerë në këso pozite të ulët që të pranojë të jetë rezervë e dikujt. Ndoshta mund të ketë futbollist rezervë, ushtar rezervë, polic rezervë, po arsimtar rezervë? Kjo ishte një fyerje. Rezervë! Fyerje e dyfishtë! Edhe për arsimtarin të cilit i bëhej me dije se ka kush e zëvendëson, por edhe për atë që do të jetë rezervë. Të pranosh të jesh arsimtar rezervë, do të thotë të pranosh të tallen me ty, të shkelin mbi personalitetin tënd si arsimtar. Nëse pranon të jesh rezervë, çfarë autoriteti do të jesh para fëmijëve. Do të jesh thjeshtë një numër, jo personalitet me emër e mbiemër. Fëmijët menjëherë do të thonë: erdhi rezerva… iku rezerva… Është pozitë që s’e meriton askush  e natyrisht as njerëzit që janë përgatitur të jenë arsimtarë… Këto mendime e lodhën. E pa se ishte djersitur.

Përsëri iu kthye gazetës. Njerëzit e LSDM-së e mbajnë anën e grevistëve. U rrëqeth. Ata? Ata të cilët janë trashëgimtarë të LKM-së? Të atyre kadrovikëve që e bënë aksionin e tmerrshëm të diferencimeve të arsimtarëve shqiptarë në të ashtuquajturën luftë kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Të atyre që i përzunë nga puna me qindra e qindra arsimtarë shqiptarë. Nuk u besonte syve që edhe ata e kanë vënë re se është absurd të punësohen rezervistë në vend të arsimtarëve. Merreni me mend: njëzet mijë arsimtarëve (po qe se bëjnë grevë të përgjithshme), do të duhet t’u gjenden  njëzet mijë rezerva. Po nëse nxënësit solidarizohen me arsimtarët? Nëse ndodh kjo, atëherë do të ndëshkohen prindërit me një gjobë prej 2000 eurosh.

Mësuesi e lexonte gazetën dhe e lëvizte kokën në shenjë miratimi kur e pa se në artikull autori theksonte se po shkelen të drejtat e njeriut në këtë mënyrë, po shkelet e drejta për grevë, por… Por kësisoj hapen procese të çuditshme. Nëse arsimtarët do të kenë rezervat e tyre: atëherë edhe nëpunësit duhet t’i kenë rezervat e tyre. Edhe mjekët. Edhe të papunët? Po me të vërtetë, kur të bëjnë greva të papunët, kush do të jetë rezerva e tyre?

“Unë do të jem pjesë e këtyre grevave”! tha dhe e la gazetën. “Si në kohën e diferencimeve që isha mësues, i tillë do të mbetem edhe tash. Pranë interesave të fëmijëve dhe bashkë me kolegët. Nuk e pranoj dot atë ligj që shpik rezerva”…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button