Korridori 10-Trenat do të qarkullojnë prej 120km/h

Për një vit duhet të përfundojë rikonstruimi i hekurudhës nga Nogaevci deri në Negotinë e cila është pjesë e Korridorit 10. Me këtë do të rrumbullakësohet sanimi i 28-të pikave të zeza të hekurudhave nëpër shtet ku trenat duhet të lëvizin me shpejtësi të zvogëluar për shkak të binareve të vjetra.

Punët ndërtimore në këtë pjesë do t’i kryejë kompania bullgare CK-13 Hollding JSC, e cila sot në Shkup e ka nënshkruar marrëveshjen me Infrastrukturën e hekurudhës së Maqedonisë.

Është planifikuar për një vit të përfundojë rehabilitimi në këtë pjesë në gjatësi prej 31 kilometra për të cilën janë siguruar mjete në vlerë prej 9,5 milionë euro nga Banka Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim.

Me riparimin parashikohet të kryhet ndërrim i tërësishëm i platformave të drurit me ato të betonit, ndërrim komplet i binareve ekzistuese me të reja standarde 60 të cilat për herë të parë do të zbatohen në binarët në Maqedoni, si dhe rikonstruimi i stacioneve të vendqëndrimeve Nogaevci, Stobi dhe Cërveni Bregovi dhe në stacionet Gradsko, Kukuriçan dhe Krivolak.

Kompania bullgare duhet në afat prej 90 ditëve të kryejë bartjen e pajisjeve deri te sheshi i  ndërtimit dhe ta kryejë furnizimin e materialeve të nevojshme.

Me rikonstruimin pritet rritje e sigurisë në komunikacionin hekurudhor dhe rritjen e shpejtësisë prej 100 deri në 120 kilometra në orë me të cilën do të qarkullojnë trenat.

“Për herë të parë do të ndërtohen binare standarde 60 të cilat janë risi në Maqedoni që do të thotë se do të krijohet stabilitet më i madh për kalimin e trenave dhe do të merret shpejtësi e projektuar e trenave prej 100 deri në 120 kilometra në orë”, theksoi drejtori i Infrakstrukturave hekurudhore të Maqedonisë Irfan Asani pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Sipas  ministrit për Transport dhe Lidhjeve Mile Janakieski, nënshkrimi i sotëm i marrëveshjes është edhe një konfirmim se qeveria me përkushtim, punon në  përmirësimin e komunikacionit hekurudhor në shtet.

“Ajo që është më e rëndësishme është se do të rritet shpejtësia e trenave për dy herë, përkatësisht tani shpejtësia mesatare është 50 deri në 60 kimoetra në orë, ndërsa sipas standardeve evropiane që dëshirojmë t’i arrijmë shpejtësia do të jetë prej 100 deri në 120 kilometra në orë. Dua të theksoj se ka pjesë nga kjo pjesë në të cilat tani trenat qarkullojnë me shpejtësi prej 30 deri në 40 kilometra në orë  ashtu që do të ketë edhe ndërtim të tërësishëm të binareve të reja sepse nuk mundet tërësisht të rikonstruohen ato pjesë nga ky aks”, tha Janakieski.

Lajme të ngjashme

Back to top button