Imami Enis Rama: Mos shkoni në Siri

Imami i Mitrovicës, Enis Rama, pas lirimit nga arresti me dyshime për nxitje të urrejtjes dhe për shkuarje të kosovarëve në Siri, luftën në këtë vend e ka quajtur të pakuptimtë, ndërsa ka bërë thirrje që askush të mos shkojë atje.

Ai pas faljes Xhumase në Mitrovicë i tha Koha.net se është plotësisht i pafajshëm për dyshimet që i ngarkoheshin. Ai tha se gjatë kohës sa ka qëndruar në paraburgim prokurori ka verifikuar dhe ka vërtetuar se nuk qëndrojnë dyshimet se ai ka bërë thirrje që të rinj nga Kosova t’u bashkohen luftës në Siri. Luftën në Siri ai e ka quajtur të pakuptimtë dhe u ka bërë thirrje të rinjve nga Kosova që të mos shkojnë atje.

“Unë jam deklaruar disa here për këtë çështje dhe asnjëherë nuk kam bërë thirrje për të shkuar kushdo në Siri. Unë pres që gjithçka të sqarohet sa më shpejt”, është shprehur imam Enis Rama.
Imamët Enis Rama e Ekrem Avdiu kanë dalë të enjten pasdite nga Burgu i Dubravës, ku kanë qëndruar një javë.
Lirimin e tyre e ka propozuar vetë prokurori special, Haki Geci, i cili i kishte arrestuar vetë nën dyshimin se me ligjëratat e tyre, imamët kanë frymëzuar shkuarjen e kosovarëve në Siri dhe bashkimin me organizatat terroriste ISIS dhe “Al-Nusra”.

Imamët kishin mohuar se kanë bërë ndonjëherë thirrje të tilla.
Prokuroria është arsyetuar se kanë pushuar shkaqet që të dyshuarit të mbahen në paraburgim edhe më tej, pa sqaruar më shumë.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Astrit Kolaj, ka thënë për “Kohën Ditore” se prokurori i rastit pas paraburgimit të të dyshuarve tyre ka vazhduar me punën për mbledhjen e provave, ndërsa ka ardhur në përfundim se nuk ekzistojnë arsye që ata edhe më tutje të qëndrojnë në paraburgim.

“Procedurat e mbledhjes së provave dhe hetimet do të vazhdojnë edhe më tutje”, ka thënë ai.
Ndërkohë, të arrestuarit e tjerë Shefqet Krasniqi, Enes Goga, Mazllam Mazllami, Bedri Robaj, Idriz Bilibani, Fuad Ramiqi, Alban Malsiu, Dardan Gjuka, Eroll Nesimi, Leonard Ruli, Sabahudin Selimi dhe Trim Ademi vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

Lajme të ngjashme

Back to top button