Diplomacia: pjatë e përlyer e BDI-së dhe VMRO-së, njëra pështyn tjetra e fshin

Reagimi i MPJ ndaj deklaratës së ambasadorit në ardhje të SHBA, duke thirrur zyrtarë të ambasadës amerikane në shenjë revolte për përdorimin e një termit “Sllav” që tani më konfirmohet nga shumë diplomat të huaj, ka nxitur BDI-në që të dalë si korrektuese e politikës së jashtme maqedonase.

Diplomatët sqarojnë se kjo qasje tregon se Maqedonia nuk flet me një zë në politikën ndërkombëtare. Sipas tyre, të dyja palët janë pjesë e një mos koordinimi të brendshëm i cili mund të jetë edhe i qëllimshëm, duke pasur parasysh pangopshmërinë e poentimit politik.

Besimi: Duhet sqarim logjik nga MPJ për reagimin ndaj ambasadës së SHBA

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Fatmir Besimi, kërkon një shpjegim logjik të reagimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme ndaj Uashingtonit zyrtar.

Besimi thotë se opinionit i duhet sqaruar me një shpjegim logjik arsyeja e reagimit, si dhe të sqarohet pozicioni i Shkupit, për të mos krijuar, siç thotë ai, hapësira për interpretime të ndryshme në opinion.

Malevski: Qeveria nuk flet me një zë në politikën e jashtme

Ish ministri i punëve të jashtme, profesor Denko Malevski, thotë për Portalb se përfaqësuesit shqiptar në qeveri distancohen nga ajo maqedonase dhe duan të tregojnë afërsi me SHBA-në. E gjithë kjo sipas tij tregon se në qeveri nuk ka qasje të përbashkët në politikën ndërkombëtare.

“Nuk është hera e parë që ndodh kjo, ku shqiptarët dhe maqedonasit dallohen rrënjësisht në prononcimet dhe veprimet që kanë të bëjnë me politikën ndërkombëtare. Nga jashtë neve nuk na shohin si shqiptarë apo maqedonas, por na njohin si Maqedoni”, thotë për Portalb, Denko Malevski.

Malevski, thotë se nga partneri i koalicionit qeveritar pritet që të ketë qëndrime të harmonizuara me kryeministrin. Sipas tij, në këtë mënyrë do të na vlerësonte më shumë edhe SHBA nëse qeveria fletë me një gjuhë të përbashkët para faktorit ndërkombëtarë.

Demiri: Diplomaci “non nsens” dhe jo e koordinuar

Sipas analistit dhe ish diplomatit Alajdin Demiri, deklarimet dhe më pas reagimet shprehin nj Koncept diplomatik të pakuptimtë dhe larg realitetit multietnik të Maqedonisë.

“Veprimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndaj ambasadorit amerikan në ardhje paraqet një non sens, një veprimit josubstancial dhe jo të koordinuar me qeverinë dhe subjektet tjera të cilët e krijojnë diplomacinë. Ai veprim nuk shpreh një koncept diplomatik të asaj kush si e quan Maqedoninë dhe çfarë identiteti shpreh Maqedonia, nuk shpreh identitetin multietnik të shtetit dhe kjo është esenca”, thotë Alajdin Demiri.

Sipas tij, nuk mundet që MPJ të disiplinojë historinë botërore për që atë të gjithë e dinë dhe janë të shënuara.

“Nëse ajo tenton për nevoja të brendshme të krijoj një identitet antik dhe një identitet unitar se ka vetëm maqedonas dhe nuk mund të disiplinoj SHBA-në dhe shtete tjera. Prandaj edhe krijohen kriza me Greqinë me Bullgarinë me Serbin dhe tash një kohë të gjatë tentohet të krijohet krize edhe me SHBA”, thotë për Portalb, Alajdin Demiri.

Lajme të ngjashme

Back to top button