Të hënën kalon afati i paraburgimit për të akuzuarit e protestave për “Monstrën”

Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim për 6 protestuesit kundër rastit Monstra, të dënuar me nga 3 vjet burg nga Gjykata e shkallës së parë. Nëse Apeli nuk prononcohet deri të hënën, kur mbushen 60 ditë nga vendimi i shkallës së parë, protestuesve ligjërisht duhet t’u ndërpritet paraburgimi dhe të lihen të lirë. Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari, i cili thotë se po e ndjekë çështjen nga afër, shpjegon Ligjin për Procedurë Penale që obligon lirimin e të burgosurve nëse brenda 60 ditëve nuk merret aktvendim i plotfuqishëm.

“Lartësia e paraburgimit është parashikuar maksimalisht të jetë 60 ditë. Në rast se brenda këtij afati nuk përfundon procedura në shkallë të dytë, ‘ex lege’ apo në bazë të ligjit, gjykata duhet të lirojë të paraburgosurit nga paraburgimi. Por kjo nuk do të thotë se me lirimin ka përfunduar edhe procedura. Procedura duhet të vazhdojë, të paraburgosurit duhet të lirohen deri në sjelljen e aktgjykimit të shkallës së dytë në lidhje me rastin e theksuar”, tha Adnan Jashari, Ministër i Drejtësisë.

Pavarësisht se procedura duhet të vazhdojë, edhe pas ndërprerjes ose jo të paraburgimit, avokati i të dënuarve Ljubço Veselinovski pret që Apeli të vendosë në favor të të akuzuarve, për shkak të mungesës së provave.

“Presim vendim pozitiv sepse vendimi i shkallës së parë me të cilin të akuzuarit u dënuan me nga 3 vjet burg është i pa bazë. Nuk kishte asnjë provë se pikërisht këta të akuzuar kanë marrë pjesë në kryerjen e veprës penale “pjesëmarrje në turmë që ka kryer vepër penale”, sepse të gjithë të dënuarit janë arrestuar në lokacione të tjera, nuk janë ndodhur përpara gjykatës”, u shpreh Ljubço Veselinovski, Avokat.

Gjashtë protestuesit morën dënimin maksimal nga Gjykata Themelore për veprën penale për të cilën ngarkohen, ndërsa përveç dënimit me burg do të detyrohen të paguajnë edhe dëmshpërblim gjithsej prej rreth 26 mijë euro për thyerjen e xhamave të Gjykatës.

Lajme të ngjashme

Back to top button