Orana: BDI-ja e pafuqishme përball Trajanosvskit për gjuhën shqipe

BDI-ja është e pafuqishme që të detyrojë kryetarin e qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski të respektojë dygjuhësinë dhe me këtë edhe ligjin dhe kushtetutën. Këto akuza i lëshoi sot këshilltari i PDSH-së në këshillin e qytetit të Shkupit Idriz Orana pasi u refuzua kërkesa e tij që në rend ditë të përfshihet edhe çështja e dygjuhësisë në kryeqendër, transmeton Alsat.

“Këto ditë jemi dëshmitarë të një pasqyre të shëmtuar dhe nënçmuese nga të ashtuquajturit “çlirimtarët” e popullit shqiptarë, të cilët thuajse çdo ditë me politikat e tyre infantile, po e nënçmojnë dhe poshtërojnë çdo çështje shqiptare e sidomos atë të Shkupit, edhe atë  duke u shenduar në vasal të VMRO-DMPNE-së siç është rasti më i freskët me mosrespektimin e dygjuhësisë në qytetin e Shkupit. Nuk ka nevojë që në formë të lypsarit, të lutet vëllai i madh, sepse këta veçse janë pjesë e koalicionit si ai qendror po ashtu edhe ai lokal, që të zgjidhet një çështje e cila veçse është e rregulluar me ligj si dhe me aktet e qytetit të Shkupit, në të cilën në mënyrë decide theksohet se edhe gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në kuadër të qytetit të Shkupit, neni 50,51 gazeta zyrtare 55 e vitit 2004”, deklaroi Idriz Orana, këshilltar i PDSH-së në këshillin e qytetit të Shkupit.

Këshilltari i BDI-së në qytetin e Shkupit Qemal Musliu, edhe përkundër apelit të kolegut të tij Idriz Orana që mos të lutet Trajanovski për diçka që garanton ligji, ai përsëri i bëri thirrje Trajanovskin që të bëj presion mbi komisionin e ngarkuar që të shqyrtojë çështjen e dygjuhësisë të mbajë mbledhje dhe të jap mendim

“Kisha apeluar deri tek kryetari i qytetit të Shkupit që të bëj shtypje deri tek udhëheqësi i komisionit për të analizuar dispozitat ligjore dhe statutare lidhur me përdorimin e gjuhës pasi vërtet kaloi shumë kohë edhe ai komision nuk po takohet. Unë besojë që nëse ka vullnet kjo punë për 1 ditë mund të zgjidhet pasi dispozitat ligjore janë të qarta”, tha Qemal Musliu, këshilltar i BDI-së në këshillin e qytetit të Shkupit.

Ndërkohë, Trajanovski vazhdon të arsyetohet se ngecjet e punimeve të këtij komisioni erdhën si rezultat i zgjedhjeve të parakohshme dhe pushimeve verore. Ai vetëm tha se po bën presion sistematik që ky komision të mblidhet.

“Ka kryetar të komisionit, unë tani më disa herë reagojë që ky komision të takohet, por duhet pasur parasysh se kishim zgjedhje, pastaj pushimet verore, ky komision nuk u takua. Shpresojë se shumë shpejtë, gjatë kësaj periudhe ai komision do të takohet dhe do të jap mendimin e tij. Unë nuk mund t’ua them arsyet pse ai komision nuk takohet, unë vetëm mund t’ju tregojë se po bëj përpjekje që ky komision të takohet dhe të jap mendimin e tij”,  u shpreh Koce Trajanovski, kryetar i qytetit të Shkupit.

Kujtojmë se në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski mund të ndiqet penalisht për shkelje të ligjit për përdorim të gjuhëve dhe mund të dënohet deri në 5 vjet burg, bazuar në nenin 138 të Kodit Penal i cili thotë:

Paragrafi 1 – Ai që do t’ia marrë ose kufizojë qytetarëve të drejtën e garantuar me kushtetutë, ligj apo marrëveshje të ratifikuar ndërkombëtare për përdorimin e gjuhës dhe shkrimin, do të dënohet nga 3 muaj deri në 3 vjet burg.

Paragrafi 2 – Nëse vepra e paragrafit 1 kryhet nga personi me detyrë zyrtare, ai do të dënohet me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet.

Edhe pse moszbatimi i gjuhës shqipe si vepër është e sanksionuar me kodin penal deri më tani nuk është ngritur asnjë procedurë dhe nuk është kërkuar përgjegjësi penale për këtë

Lajme të ngjashme

Back to top button