Golf për të gjitha terrenet

Prodhuesi gjerman i veturave Volkswagen, ka filluar prodhimin serik të Golfit Alltrack i cili është i dedikuar për të gjitha terrenet.

Karshi Volkswagen Passatit, edhe Golf ka fituar një model nga Alltrack, veturë kjo e cila është e punuar në versionin karavan. Përpos që është për 20 mm më e gjatë sesa Golfi standard, Alltrack falë disa pjesëve mbrojtëse nga plastika në pjesën e poshtme të karrocerisë, duket më atraktive sesa versioni klasik i karavanit. Për të lëvizur lirshëm edhe jashtë rrugëve të asfaltit, Golf Alltrack është e pajisur me sistemin e tërheqjes me të katër rrotat apo ndryshe i njohur si sistemi 4Motion.

Ky model dallon nga variantet tjera të Golfit e sidomos nga dizajni i fellneve të aluminit prej 17 inç dhe pasqyrave anësore. Në Volkswagen thonë se Golfi Alltrack gjatë ngasjes në rrugë standarde bën tërheqjen e veturës me rrota të para, kurse sapo të largohet nga asfalti, fuqia motorike bartet në të gjitha rrotat sipas nevojës. Por nëse gjatë ngasjes zgjidhet si opsion sistemi Offroad, atëherë automatikisht aktivizohet sistemi frenues dhe kontrolli i shpejtësisë që e kalon veturën në sistemin automatik të ngasjes.

Përpos që është i përshtatshëm për ngasje në terrene malore, Golf Alltrack është në gjendje të tërheq një rimorkio që peshon plotë 2 ton. Në katalog do të jetë i disponueshëm edhe një version me benzinë dhe tri të tjera me naftë. Versioni me benzinë do të ketë motor me 1.8 litra TSI me 180 kuaj fuqi, kurse tek ata me naftë, blerësit do të mund të zgjedhin në mes të atij me 1.6 litra TDI me 110 kuaj fuqi dhe atij me 2.0 litra TDI me 184 kuaj fuqi. Prezantimi zyrtar i VW Golf Alltrack pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme në panairin ndërkombëtarë të Parisit, derisa çmimi fillestar i tij do të jetë 30.000 euro. (Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button