Greva përplas Ademin dhe Nedelkovin

Shtohen përplasjes mes Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Arsimtarëve rreth grevës së paralajmëruar për 29 shtator. Ministri i Arsimit dhe Shkencës Abdylaqim Ademi tha se apeli që SASHKU u dërgon fëmijëve për të mos shkuar në shkollë nga dita e hënë, është kundër kushtetues, pasi sipas tij askush nuk ka të drejtë të pengojë procesin edukativo arsimorë.
 
“Unë jam i habitur dhe i trishtuar nga ftesa që dje bëri kryetari i SASHK-ut deri tek nxënësit dhe prindërit që ditën e hënë të mos shkojnë në shkollë. Kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e ligjeve sepse askush në Republikën e Maqedonisë nuk mundë ti ftojë nxënësit dhe arsimtarët që të mos marrin pjesë në procesin edukativo arsimor, e aq më pak një kryetar i Sindikatës. Me sa duket pas zbehjes së interesimit për grevë, kryetari i SASHK-ut, donë që me forma tjera të ndikojë tek nxënësit që nuk është kompetencë e tij”, u shpreh Abdylaqim Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
 
Kreu i sindikalistëve Jakim Nedelkov hodhi poshtë akuzat e Ademit, duke thënë se nuk ka apeluar që nxënësit të mos shkojnë në shkollë. Për këtë gjë tha ai, duhet të vendosin prindërit.

“Në pyetjen se vallë nxënësit do të vijnë në mësim unë kam thënë se ajo nuk është në kompetenca tona, për atë duhet të vendosin  prindërit të cilët do ti lëshojnë në shkollë ku nuk do të dihet se kush do ti pranoj fëmijët, kush do ti edukoj dhe arsimoj, për çka vetë prindërit duhet ët vendosin. Ne e dimë që bëjmë grevë, ndërkohë që për atë se do të vijnë apo jo nxënësit në shkollë gjatë kohës së grevës, le të vendosin prindërit”, theksoi Jakim Nedelkov, kryetar i SASHK-ut.

Nedelkov tha se në pajtim me vendimin e SASHK-ut, nga 29 shtatori mësimdhënësit nuk do të mbajnë mësim dhe me automatizëm ndërpritet procesi arsimor. Por ministri i Arsimit Ademi tha se në rast të mbajtjes së grevës, mësimdhënësit do të zëvendësohen.

“Arsimtarët që kanë vendime pune do të vazhdojnë të punojnë, nuk iu cenohet as e drejta e grevës as e drejta e vendit të punës e ata që eventualisht do angazhohen në mënyrë plotësuese si arsimtarë rezervë, sigurisht që në momentin kur do kthehet arsimtari që ka vend pune atij do ti pushojë mandati ose vendi i punës sepse është vendim i përkohshëm”, deklaroi Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës

Zëvendësimi i mësimdhënësve grevistë erdhi pas miratimit të ligjit për arsim fillor dhe të mesëm, i cili nga mësimdhënësit shihet si censurë për grevën e paralajmëruar.

Lajme të ngjashme

Back to top button