Ramazani, minierë thesaresh të vyera

Me të përmendur minierën, menjëherë mendja na shkon tek ato pasuri të shumta, që fshihen nën tokë. Në përgjithësi, një minierë e caktuar merr vlera vetëm nga minerali i vetëm, që gjendet në thellësitë e saj.

Ç`mund të themi nëse një minierë përmban lloje të ndryshme pasurish natyrore dhe të gjitha këto janë të dobishme dhe me vlera tepër të mëdha? E ç`mund të themi akoma, nëse nxjerrja e këtyre pasurive është krejt e lehtë dhe e mundshme për këdo, pa pasur nevojë për specializim në atë fushë dhe pa ndonjë mund të madh? Padyshim që të gjithë do të rendnin, për të nxjerrë sa më shumë nga pasuritë e vyera të kësaj miniere.

Një minierë e tillë gjendet para syve të tu, nën këmbët dhe duart e tua. Ajo thjesht pret urdhrin dhe sinjalin tënd. A e dallon dot? A nuk e sheh sa të vyer janë thesaret e saj? Si nuk të joshin aspak?! Si nuk i sheh gjithë ato turma njerëzish, që kanë përveshur llërët dhe po përfitojnë nga thesaret e vyera të kësaj miniere?! A nuk është kjo një panoramë, që ta kanë parë sytë edhe herë të tjera?!

Jo. Mos prit t’ia them emrin! Ajo që do të bëj, është thjesht të rendis disa nga pasuritë dhe thesaret e saj, gjë të cilën e gjykoj si më të dobishme.

Thesari i vlerave dhe specifikave

Falje: ”Kush agjëron Ramazanin, me besim dhe shpresë, do i falen gjynahet e kaluara”. (Buhariu dhe Muslimi)

Shlyerje: ”Sprovat me të cilat ndeshet njeriu në familje, pasuri dhe me komshinjtë, shlyhen nga namazi, agjërimi dhe sadakaja”. (Buhariu dhe Muslimi)

Mbrojtje: ”Agjërimi është mburojë dhe kala e fortifikuar nga zjarri”. (Ahmedi)

Shpërblim: ”Agjërimi bëhet për Mua dhe Unë di si ta shpërblej. Një e mirë shpërblehet me dhjetë fish”. (Buhariu)

Intimitet: ”Në xhenet gjendet një portë me emrin Rejjan. Ditën e Kijametit vetëm agjëruesit do të hyjnë në atë portë dhe askush përveç tyre”. (Buhariu dhe Muslimi)

Ndërmjetësim: ”Agjërimi dhe leximi i Kuranit do të ndërmjetësojnë për njeriun Ditën e Kiametit”. (Ahmedi)

Gëzim: ”Agjëruesi ka dy gëzimi; një në kohën e iftarit dhe tjetri kur të takohet me Zotin e tij”. (Muslimi)

E veçanta: ”Agjëro, pasi nuk ka si ai!” (Nisaiu)

Thesari i Kuranit dhe leximit të tij

Zoti i lartësuar thotë në Kuran: ”Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit…” (Bekare, 185)

Transmetohet nga Abdullah ibnu Amr (r.a), se i dërguari i Allahut ka thënë:”Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për robin Ditën e Kijametit. Agjërimi do të thotë:”O Zot! Unë e kam privuar nga ushqimi dhe pasionet, prandaj ma prano ndërmjetësimin. Sakaq, Kurani do i thotë:”O Zot! Unë e kam privuar nga gjumi i natës, prandaj pranoje ndërmjetësimin tim! Atyre do u pranohet ndërmjetësimi”. (Ahmed)

Thesari i namazit

“Kaloje një pjesë të natës, si falje shtesë për ty (Muhamed)! Është e vërtetë se Zoti yt do të të vendosë ty në një vend të lavdëruar”. (Isra, 79)

Transmeton Ebu Hurejre (r.a), se i dërguari i Zotit ka thënë:”Kush agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë, do i falen gjynahet e kaluara”. (Buhariu dhe Muslimi)

Thesari i dhikrit dhe duasë

“Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë”. (Bekare, 186)

Transmeton Ebu Hurejre (r.a), se Profeti (a.s) ka thënë: ”Tre personave nuk u kthehet lutja mbrapsht; Agjëruesit në kohën e iftarit, një sovrani të drejtë dhe një personi të cilit i është bërë padrejtësi”. (Tirmidhiu)

Thesari i bujarisë

Ibnu Abasi (r.a) thotë:”I dërguari i Zotit ka qenë njeriu më bujar dhe në asnjë kohë tjetër nuk ishte aq bujar, sa ishte në Ramazan kur takohej me Xhibrilin (a.s). Gjatë Ramazanit, ai takohej çdo natë me Xhibrilin (a.s) gjer në fund të muajit. Në këtë takim Profeti (a.s) përsëriste Kuranin me Xhibrilin (a.s). Kur takohej me Xhibrilin (a.s), Profeti (a.s) ishte më bujar se kurrë”. (Buhariu dhe Muslimi)

Thesari i vullnetit dhe durimit

Ndër urtësitë dhe dobitë e shumta të agjërimit, është dhe forcimi i vullnetit, gjë të cilën po përpiqen ta bëjnë sociologët dhe ushtarakët e kohëve moderne. Në fakt, Islami i ka paraprirë kësaj përpjekjeje që prej katërmbëdhjetë shekujsh, Islami kërkon prej myslimanit të jetë me vullnet të hekurt dhe vendosmëri të palëkundur.

Agjërimi fuqizon vullnetin dhe forcon durimin. Agjëruesi e thyen urinë, edhe pse para tij gjenden ushqimet më të shijshme. Ai thyen etjen, edhe pse në duar mban ujin e ftohtë. Ai frenohet nga marrëdhëniet bashkëshortore, edhe pse të shoqen e ka në krah. Vëzhguesi i tij i vetëm është Allahu. Si mbështetje ka vullnetin e tij të çeliktë dhe të vetëdijshëm. Një ritual i tillë zgjat për më shumë se 16 orë çdo ditë përgjatë një muaji të plotë. A ekziston ndonjë shkollë më e mirë për forcimin e vullnetit dhe durimit, sesa shkolla e agjërimit, shkollë kjo e detyruar për të gjithë myslimanët gjatë muajit të Ramazanit?

Thesari i fuqisë dhe lirisë

Të agjërosh Ramazanin në këtë formë, nuk është gjë tjetër veçse një metodë për ta çliruar njeriun nga nepsi, materia dhe errësira e epsheve, për të bërë një jetë sa më të denjë e me vlera. Vetëm ai që bën një jetë të tillë e shijon dhe e vlerëson lirinë e vërtetë.
Zoti e ka bërë obligim agjërimin, me qëllim që njeriu të çlirohet nga vargonjtë e epsheve, të arratiset nga burgu i trupit, tundimet e pasionit, të marrë në kontroll jetën e tij dhe t`u përngjajë sa më shumë melekëve.

Thesari i mëshirës dhe barazisë

Në Ramazan merr jetë domethënia e fjalës “njeri”. Në këtë muaj vendoset barazia mes njerëzve, pasi nuk ka njerëz me barkun bosh, ndërkohë që të tjerë trashen. Të gjithë janë njëlloj, të pasurit dhe të varfrit. Të pasurit e ndjejnë vuajtjen e urisë, me qëllim që kur dikush t`i thotë: “Jam i uritur”, t`i kujtojë ato vuajtje dhe ta ndihmojë. Agjërimi është edhe një lloj ngushëllimi për të varfrit, të cilët e shohin se edhe të pasurit kanë nevojë për një kothere bukë apo për një gotë ujë gjatë këtij muaji.

Fukarallëk i detyrueshëm, me të cilin synohet sinjalizimi i njerëzimit – në një formë praktike dhe të qartë – se jeta e vërtetë është ajo që fshihet pas kësaj jete, jo ajo e dukshmja. Ajo jetë arrin kulminacionin e saj, kur njerëzit ndihen njëlloj dhe jo kur ndihen të ndryshëm, kur të gjithë solidarizohen me ndjenjat dhe vuajtjet e njërit e jo kur variojnë në tundimet e epsheve.

Thesari i moraleve dhe sjelljeve

Qëllimi këtu është ngritja morale e njeriut, që t`i përngjajë sa më shumë engjëjve dhe t`i ruajë shqisat e tij nga ligësia. Distancimi nga të ngrënit dhe të pirët nuk është gjë tjetër, veçse një mjet për të frenuar gjuhën nga sharjet, ofendimet dhe llomotitjet. Ai është një mjet për të frenuar dorën nga të bërit keq.

Ndër dobitë e agjërimit është dhe: shtimi i shpërblimit, shlyerja e gjynaheve, thyerja e epsheve, shtimi i veprave të mira, distancomi nga e keqja etj..

Vëlla dhe motër e dashur! Pas gjithë kësaj, përse hiqni dorë nga këto thesare që shkëlqejnë para jush?!

 Këshilla të shkurtra:

  • Pastro nijetin, forco vullnetin, pastro zemrën, ndiz nostalgjinë dhe motivo harenë.
  • Shpejto për pendim, shto istigfarin, lësho lotët e pendimit dhe përgatitu për sezonin e faljes së gjynaheve.
  • Përpiqu që të kapësh tekbirin fillestar të çdo namazi, fali sunetet e pëlqyeshme dhe shtoji veprat e mira.
  • Fal namaz nate, mos iu ndaj duasë së kunutit, qëndro gjatë në sexhde, lutu herët në agim dhe mbushe pjesën e fundit të natës me istigfar.
  • Lidhu fort pas leximit të Kuranit, freskoje gojën me Kuran, zbukuroji netët me texhvid dhe ditët me recitim.
  • Vizitoji njerëzit e gjakut dhe të afërmit, fali ata që të kanë hyrë në hak, mblidhi banorët e lagjes, sillu mirë me fqinjët, shtoji takimet me vëllezërit dhe mbuloji me dashuri familjarët, bashkëshorten dhe fëmijët.
  • Vendos një program besimi me familjen tënde, me qëllim që të përfitoni nga këto thesare të vyera: lexim Kurani, biseda historie, udhëtim umre, namaz nate bashkarisht, momente dhikri, përkujtesa të shkurtra dhe mos harro se koha është bereqet.
  • Përllogarit zekatin e pasurisë dhe mblidhe atë të familjarëve dhe të të afërmve. Pastaj këshillohu me vëllezërit për personat që e meritojnë më së shumti. Përpiqu që t`i konkurrosh të tjerët në këtë fushë.
  • Kujtoji vëllezërit e tu myslimanë, që janë të persekutuar, të syrgjynosur dhe të shtypur në Palestinë dhe në vende të tjera. Kurrë mos i harro në lutjet e tua. Folu njerëzve që të rrethojnë për vuajtjet dhe për dhunën, që ushtrohet prej armiqve dhe kundërshtarëve të tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button