23 vite partizim dhe burokraci administrative

Më 8 shtator të vitit 1991 nëpërmjet referendumit mbi 95 për qind të qytetarëve në Maqedoni u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran, me të drejtë të hyjë në aleancën e shteteve sovrane të Jugosllavisë. Ky referendum kaloi me bojkotin e shqiptarëve dhe mos votimin e Kushtetutës nga deputetetët e atëhershëm të PPD-së, për shkak të pozitës të pa lakmueshme dhe të disfavorshme të shqiptarëve në Kushtetutën e 1991.

Rrugëtimi 23 vjeçar i Republikës së Maqedonisë kaloi me shumë ngjarje dhe ndodhi që krijuan shumë probleme në fusha të ndryshme, si ato: politike, ekonomike, marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare, kulturore, e deri në konfilktin e armatosur të vitit 2001, me anën e të cilit shqiptarët kërkuan ndërprerjen e diskriminimit shumë dimensional dhe përmirësimin e statusit juridiko-kushtetues të tyre. Të gjitha këto probleme dhe ndodhi ndikuan shumë në imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare dhe e vështirësuan rrugën drejt integrimit të vendit në Nato dhe BE. Marrëveshja e Ohrit i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001, por krijoi një ambient garues mes dy nacionaliteteve më të mëdha në vend në drejtim të zbatueshmërisë, duke e shkelur afatin e parashikuar për realizim që nga viti 2004 e deri më tani.

Kushtetuta e definon Maqedoninë si republikë të së drejtës, shtet demokratik dhe social, andaj, askund nuk përmendët se Maqedonia është shtet partiak dhe burokratik. Në fillim vitet e 90-ta, kur filluan ndryshimet në sistemin poltik në vend, filloi të institucionalizohet procesi i partizimit të organeve dhe tërë sistemit publik, me çka u bëm ndër vendet e rralla që gjatë tranzcionit departizimi i shtetit si kriter demokratik u shndërrua në partizim me bazë të fuqishme partiake. Dmth, shteti partiak nga sistemi i më parshëm njëpartiak është shndërruar në shtet shumë-partiak, pasi që cila parti ose koalicion që është në qeverisje, shteti fiton “perandorë” të rinj. Administrimi i dobët i procesit të tranzicionit dhe reformave, për shkak të interesave partiake të lidershipit politik, bënë rrënimin e profesionalizmit në qeverisje me kuadro të pa-kualifikuar, të motivuar vetëm për çështje materiale, ngase ishin të vetëdijshëm se janë të kufizuar me mandatin e partisë që janë pjesë e qeverisë.

Punësimet në administratë, emërimi i kuadrove udhëheqës, apo shpërblimi i tyre bëhet sipas rregullave ligjore, mirëpo përzgjedhja bëhet sipas “zarfeve” që i japin partitë politike që janë pjesë e pushtetit. Sipas disa analizave, tek ne pas çdo cikli zgjedhor bëhet ndërrimi i rreth 10.000 funksioneve publike në të gjitha nivelet e administratës, që në krahasim me vendet e zhvilluara demokratike, si SHBA-të ose Gjermania, numri i ndrimit të funksioneve arrin nga 400 deri më 4000 funksione politike apo publike.

Është normale që çdo përbërje e re qeveritare të shprehet hapur mbi implementimin e reformave dhe kritereve që janë të domësdoshme, dhe zotimi i tyre se në këtë drejtim do të punojnë së bashku me opozitën ngelet vetëm si premtim. Atmosfera e mosbesimit në mes nëpunësve në administratë është tepër e theksuar dhe paraqitet si problem që drejt për drejt ndikon në efikasitetin dhe efektivitetin e administratës. Vetëm për shkak të bindjeve poltike, nëpunësit gjatë kryerjes së detyrave për të cilat janë të obliguar me ligj, bëjnë shantazhe dhe obstrukcione ndaj kolegëve tjerë, të cilët nuk janë ithtarë të mazhorancës qeverisëse.

Mendoj se gjatë këtyre 23 viteve të pavarësimit nuk kemi ndryshime pozitive në fushën e administratës së vendit. Mbingarkimi i institucioneve me kuadro të pakualifikuar dhe ngecja e vendit në përmbushjen e reformave janë shkaqe që Maqedonia po stagnon në porcesin e integrimit, kuptohet, pa mos e haruar edhe kontestin e emrit me Greqinë. Andaj, gjithnjë e më shumë administrata e vendit duhet të jetë e orientuar drejt rezultateve, qytetarit dhe shërbimeve.         Po e përfundoj këtë opinion duke e cituar profesorin tim të nderuar, Akademik Esat Stavileci: “Administrata pa pushtet nuk mund të veprojë, por edhe ushtrimi i pakufizueshëm i pushtetit prej saj nuk është në përputhje me vlerat e demokracisë”.

Lajme të ngjashme

Back to top button