PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS NË KRIZË!

Presidente Jahjaga, jeni e vonuar. Përherë në lëvizjet politike që keni bërë, keni qënë një hap prapa ngjarjeve që kanë shoqëruar jetën politike në Kosovë, të cilat në çdo rast mund të dalin jashtë kontrollit.

Mund të pretendoni se i keni marrë masat dhe gjëndjen e keni nën kontroll. Koha që ka kaluar ka vërtetuar se kjo nuk ka ndodhur më parë në Kosovë. Jeta social politike ka qënë përherë përballë sfidave të forta.

Ta freskojmë pak kujtesën me ngjarjet tragjike të vitit 2004, në të cilat humbën jetën 18 persona dhe për tre ditë vendi kaloi në kaos të plotë. Kapaku i tenxheres që vlonte në kërkim të pavarësisë, atëherë shpërtheu duke e degraduar situatën tej parashikimeve. Ajo që veçojmë si interesante me këtë rast, është fakti që askush nuk mbajti përgjegjësi. Kjo po ndodh edhe sot. Atëherë nuk mund të ketë as fajtorë, por në arësyetimin më të thjeshtë, të gjithë janë fajtorë.

A mundet Presidentja në këtë situatë të marrë kontrollin e gjendjes?

A e ka ajo këtë mundësi?

Nëse ajo nuk do të kishte konflikt interesi (aktualisht është pjesë e skuadrës politike Thaçi), kjo do të ishte plotësisht e mundëshme. Është një eksperiencë e njohur. Në Kosovë nuk ka zgjidhje, nuk ka perspektivë, por lejohet të përsëriten vetëm ngjarjet. Situata mbetet e rëndëuar, jo vetëm për shkak të krizës politike, por për të gjithë pasojat që kanë rrjedhur prej saj, deri në situatën e pasigurtë të krijuar nga militantizmi politik, ekstremizmi fetar, krimi dhe trafiqet në kushtet e asfiksimit të shtetit.

E ritheksoj, siç e kam trajtuar edhe më parë: PDK-ja nuk është parti fituese. Në Kosovë nuk ka parti fituese. Ajo është partia e parë, por pa shumicën e nevojëshme për të drejtuar vendin. Është e tmerrëshme, që njerëz të paguar nga të dy anët e Drinit, me militantizëm politik, vazhdojnë të bëjnë marrëzi, duke helmuar opinionin me frymën e përçarjes,vetëm e vetëm t’i shërbejnë interesave të Hashim Thaçit dhe grupimit të tij.

Meqënëse PDK-ja e ka privatizuar ekzekutivin jashtë standardeve demokratike, me një këmëngulje tej çdo arësyetimi, pa menduar së çfarë pasojash po përjeton vendi, ajo po akumulon pakënaqësinë e qytetarëve, deri tek mbyllja e derës në Familjen e Jasharëve, me famën e të cilëve dhe gjakun e dëshmorëve të UÇK-së, ajo mori pushtetin.

Në krahun tjetër, humbësit më të vegjel po bashkohen në fuqinë e tyre përfaqësuese dhe kjo nuk nënçmohet që ata në Parlament të bëjnë shumicën. Problemi për PDK-në dhe Hashim Thaçin është shumë i hapur, i lëxueshëm dhe në kokëfrotësi të mjeruar: Përse asnjë nga partitë politike parlamentare nuk dëshiron të bëjë koalicion me të?!

Përse?

Si ka mundësi që vetëm për të mos lëshuar postin e Kryeministrit, sot është gati të bëj pazare me LDK-në, kundërshtaren e saj politike? Kaq poshtë ka rënë lidershipi i kësaj partie, sa nuk po njeh më as norma dhe as parime të moralit dhe të funksionimit në politikë.

Pse partitë politike i largohen koalicionit me PDK-në si djalli prej temjanit? Tashmë gjithçka është shumë e lexueshme.

Ata nuk duan të përballen me korrupsionin ekstrem të kësaj partie.

Ata nuk duan të ndajnë përgjegjësitë për marrëveshjet antikombëtare që Hashim Thaçi ka bërë deri tani me Beogradin.

Ata nuk pranojnë që në vazhdim faktori ndërkombëtar t’i tërheq për hunde, siç bëri dy mandate me ekzekutivin Thaçi, kur sot po të krahasojmë me Kosovën në ish Federatë. Kosova sot ka më pak të drejta në çështjet e simboleve, infrastrukturës shtetërore, pavarësisë së institucioneve, përfaqësimit në strukturat e sigurisë, në vendimarrjen parlamantare krahinore etj. pra, sot mungojnë të drejtat vetvepruese të institucioneve shqiptare, ku EULEK-si është guvernatori i vërtetë dhe bën ligjin si të dojë në Kosovë.

Populli shqiptar në Kosovë nuk e dëshiron këtë gjendje ku e ka çuar qeverisja Thaçi vendin. Populli me indiferencën e tij karakteristike po duron dhe po prêt që Hashim Thaçi të bëj aktin e tij të largimit nga kreu i PDK-së, të hap rrugën zhvillimit demokratik duke kaluar në opozitë dhe duke i dhënë mundësinë partisë së tij të reformohet. Ky do të ishte shërbimi më i pakët që mund t’i bëhej Kosovës në këtë situatë.

Epilogu: Zonja Presidente; Kam bindjen se në lartësinë që u jep pushteti, ju dëshironi realisht që kjo krizë politike të kapërcehet, por me mendësitë e Hashimit, “ose uën, ose asnjë tjetër”, për të cilën deri tani ja keni mbajtur ison, ju po rrezikoni prestigjin e lartë të figurës së Presidentit të Kosovës, të Kryetarit të Shtetit, sepse kështu po bëheni vegël e Ekzekutivit. Kosova do qeverisje, do zbatimin e vullnetit të deputetëve të popullit, të cilët nuk mund të trajtohen si “ushtarë plumbi” për interesa të ngushta klanore.

Siç ka thënë fiorentini i madh, Dante Aligeri në “Komedinë Hyjnore”; “fola dhe shpirtin tim shpëtova”.

Dr. Sulejman Abazi (NESHAJ)

Tiranë, 24. 09. 2014

Ekspert në Qendrën e Investigimit kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar.

Lajme të ngjashme

Back to top button