Çerdhja “Fidani” e stërngarkuar, nuk respekton rregulloren

Objekti i ndarë i Çerdhes “Fidani”, me emrin “Peter Pani”, është i stërngarkuar me fëmijë. Prindërit ankohen se numri i fëmijëve në grupe është shumë i madh kurse ai i edukatoreve është i vogël.

Prindërit thonë se për shkak të numrin të madh të fëmijëve, tejkalohet kapaciteti i çerdhes dhe për të fjetur fëmijët në mungesë krevatesh i lënë të vlejnë në transporterë.

“Çdo viti numri i fëmijëve nëpër grupe shkon duke u rritur, pra shkon edhe deri në 24, duke tejkaluar kështu çdo normë. Disa nga edukatoret thonë se grupet nuk duhet të kenë më shumë sesa 10 -12 fëmijë. Po kaq krevate ka edhe nëpër dhoma dhe në shume raste edukatoret përdorin shtretër alternativ, si transporterat e makinave , e të tjera për t’i vënë në gjumë fëmijët. Nëse nuk punësojnë edukatore dhe nuk ka kushte dhe hapësirë pse i pranojnë të gjithë ata fëmijë”, thotë një prind i cili deshi te mbetet anonim.

Kurse drejtoresha e kësaj çerdhe, Rabije Loku bën të ditur se interesimi është shumë i madh dhe fëmijët nuk mund t’i kthejnë, kurse sa i përket fjetjes në transporterë ajo thekson se kjo ekziston fale shprehive të fëmijëve dhe jo për shkak të mungesës së krevateve.

“Çdo vit numri i të interesuarve për t’i regjistruar fëmijët e tyre në këtë çerdhe shkon duke u rritur dhe ne nuk mund t’i kthejmë mbrapsht. Është pakë i ngarkuar numri mirëpo ne sigurojmë edukatore si dhe përkëdhelëse shtesë. Sa i përket krevateve nuk është e vërtetë që fëmijët flenë në transporter shkaku i mungesës, por është shprehi e fëmijëve të cilën mundohemi të ju largojmë dalë ngadalë”, tha për Portalb, Loku.

Çerdhja Fidani - Peter Pan 1

Ajo shtoi se për momentin në këtë objekt është një grup prej 18 fëmijë foshnje si dhe 24 në grup me fëmijë të moshës pak më të rritur, ndërkaq në Rregulloren e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale theksohet se një grup ka tre edukatore dhe foshnjet deri në 12 muaj nuk guxojnë të jenë më shumë se 8 në një grup, kurse nga mosha 12 muaj deri në dy vjet lejohet maksimumi 12 dhe nga mosha 2 vjeçare e deri para se të regjistrohen në shkollë, maksimum 20 në një grup.

Nga ana tjetër drejtoresha thekson se disa herë janë vizituar nga inspektorët po që nuk është vërejtur asnjë anomali.

Përveç sterngarkimit, prindërit gjithashtu ankohen edhe për kërkesat e shumta që bëhen nga edukatoret.

“Po ashtu çdo vit, pra shtator, prindërve në mbledhjen që bën çerdhja u kërkohen të sjellin lodra dhe gjëra të tjera që t’i kenë fëmijët në përdorim. Po ashtu kërkohen edhe sapunë të lëngshëm, letra higjienike çdo 6 muaj për të larë duart, fshirë fytyrën , si dhe çdo muaj peceta të njoma, krem për higjienë personale kur ndërrojnë bebelinat. Edhe për  vitin e ri, kërkojnë zbukurime për të rregulluar dhomat, dhe në pranverë bimë për t’i mbjellë, vazo e kështu me radhë. Nuk u mjaftojnë ato të holla që iu paguajmë në muaj po kërkojnë edhe më shumë. Kjo nuk është normale”, thonë prindërit.

Po ashtu ata kanë kërkuar rregulloren, por iu është mohuar kjo gjë duke iu thënë që nuk kanë një gjë të tillë. / portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button