“Ditari…” i Qosjes edhe në Prishtinë

Për nderë të 78 vjetorit të lindjes së akademik Rexhep Qosjes në Prishtinë është bërë promovimi i Ditarit me katër vëllime të tij, “Dëshmitarë i në Kohën Historike”, si dhe u shfaq dokumentari kushtuar Qosjes nga gazetarja Rudina Xhunga “Rexhep Qosja Rilindësi i Kohës Sonë”.

Në ditarin e akademikut Rexhep Qosja trajtohen ngjarje, çështje, personalitete, probleme, dukuri, procese shoqërore, politike, letrare, artistike, shkencore, para së gjithash në Kosovë e në Shqipëri por edhe në Jugosllavi dhe në botë.

Ditari ka gjykimet e vet Qosjës, të vërtetat dhe të drejtat se si i ka parë ai në kohën në të cilën ka jetuar, prej vitit 1968 e deri më sot.

E dëshira e Qosjës, është që përmes këtyre ditarëve, brezave të ardhshme të ju dhuron të gjitha këto gjykime të drejta apo jo për kohën që ka jetuar.

Nëpër vite, akademik dhe profesor Rexhep Qosja, kishte pas drojë se dikush do të ja rrëmbej.

“Një drojë të natyrshme për kohën kur është shkruar ditari. Kam pasur drojën mos ky ditar mund të më rrëmbehet. Pjesëtarët e brezit tim, pak më të vjetër apo të rinj, e dinë se koha para vitit 1998 – 99, ishte kohë kur Policia serbe mund të futej në çdo shtëpi pa lajmëruar dhe pa e ditur dhe në atë rast mund të më merreshin ditarët”, ka thënë Qosja gjatë prezantimit.

Ditarët nuk ju rrëmbyen pasi për to ishin kujdesur edhe disa fqinjë, që ja ruanin sa herë që mendohej se do të kishte bastisje nga ushtria serbe.

Një drojë tjetër e kishte pasur Qosja, përderisa shkruante në fletorët e tij dhe që ato dikur do të botoheshin. Droja është e përgjithshme thotë Qosja, për këtë të dytën.

Në kujtimet e tij, ai po ashtu kishte pasur drojë se do ta prishte jetën dhe vdekjen e tij.

“Sepse në ditar thuhen ato që i sheh njeriu, që i përjeton dhe si i sheh dhe si i vlerëson ai. Në gjykime kritike, shpesh ndjenjore, të ashpra më tepër seç duhet dhe këto në jetën e mëvonshme atij, më pak a më shumë i hakmerren. Megjithatë unë këtë drojë e kam pranuar. E kam pranuar këtë drojë si fat të jetës sime, për arsye se e kam ditur se të drejtat dhe të vërtetat që do i them në këtë ditar për historinë e popullit të cilit i takoj, janë më të rëndësishme se ajo drojë e imja, mirëqenie e imja dhe komoditeti im në momente të caktuara të jetës sime”, ka shpjeguar Qosja.

Veprat, punën dhe ditarët e Rexhep Qosjës, i vlerësuan shumë miq që kishin ardhur në promovimin e ditarit të katër të tij, e i cili u mbajt në Prishtinë.

Fjalë të mira për Qosjen dha Begzad Baliu, Jorgo Bulo por edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi.

Lajme të ngjashme

Back to top button