Nesër hapet ‘Java kulturore shqiptare’

Nesër fillon manifestimi i madh kulturor ‘Java kulturore shqiptare’ në Kumanovë.

Ky manifestim i madh kulturor për të tretën herë mbledh gjithë artdashësit e vendit, rajonit dhe diasporës në një vend.
 
Qëllimi i mbajtjes së këtij eventi është nxitja e vlerave kulturore sidomos tek të rinjtë në gjitha sferat e kulturës, tha organizatori i manifestimit Agim Beluli.
 
‘Kjo është hera e tretë që organizohet ky manifestim në qendër të Kumanovës. Me 18 dhe 19 korrik, manifestimin e shoqërojnë Shoqëritë kulturore artistike ‘Emin Duraku’ nga Shkupi, ‘Bajram Shabani’ nga Kumanova, ‘Gjilani’ nga Gjilani dhe valltarët nga grupi i këngëve dhe valleve nga Presheva. Këtu do të marrin pjesë edhe këngëtarët e estradës shqipe që vijnë nga Kumanova ndërsa si mysafir special janë Kanita dhe Selajdin Miftari’ tha Beluli.

Manifestimi fillon nesër në orën 18:00, tha më tej ai, duke sqaruar agjendën për gjatë gjithë javës.

‘Natën e parë prej ora 18 fillojmë me defiletë që do ta mbajmë në rrugët e qytetit, ku do të marshojnë gjithë pjesëmarrësit nëpër qendër dhe rrugëve kryesore të qytetit, më vonë, pason edhe darka më saktë iftari. Nga ora 21 bëhet edhe hapja solemne e manifestimit deri në orën 24.
Natën e dytë fillojmë prej orës 21-24 ku programi do të jetë i ngjeshur me muzikë popullore dhe zbavitëse. Ditëve të tjera prej 20-24 korrik vazhdojmë me takime me mërgimtarët ku tema do të jetë ‘Roli i Xhamisë dhe shkollës shqipe në diasporë’, pastaj disa tribuna, promovim libri dhe të ngjashme. Parashikohet nata finale në shtëpinë e kulturës, ku edhe do të ndahen mirënjohje për pjesëmarrësit në manifestim’ përfundoi Beluli.

Lajme të ngjashme

Back to top button