Kosovë, Zhbogar dha sinjal për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve

Analistët politikë në Kosovë vlerësojnë se deklarata e djeshme e shefit të Zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar është sinjal se ndërkombëtarët do të ndërhyjnë në zgjidhjen e krizës politike në vend.

Zhbogar ka thënë se ndërkombëtarët vetëm do të japin rekomandime, por analistët këtë e shohin si një ndërhyrje të tërthortë për të arritur një kompromis mes partive politike. Gjithsesi, sipas tyre, në këtë situatë kur asnjëra palë nuk lëshon pe, ndërhyrja e ndërkombëtarëve bëhet e domosdoshme.

Pavarësisht faktit se ndërkombëtarët janë deklaruar se nuk do të ndërhyjnë në zgjidhjen e ngërçit politik, deklarata e shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zbogar për ofrimin e rekomandimeve, nga analistët politikë shihet si paralajmërim për ndërhyrje. Analisti Imer Mushkolaj thotë se deklarata e djeshme e përfaqësuesit të BE-së, është sinjal se ka ardhur koha që ndërkombëtarët të përfshirjen e daljes nga kriza.

“Është vetëm një gjuhë diplomatike e cila na tregon se në fakt tashmë jemi në situatë kur nëse edhe këto ditët e fundit liderët politikë nuk gjejnë zgjidhje për tejkalim të krizës, atëherë ndërkombëtarët janë ata të cilët mund të konsiderohen si shpëtimtarë, sikur në të kaluarën dhe njëkohësisht vetë ndërhyrja e ndëkombëtarëve nënkutpon një arsyetim që liderët politikë”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.

Ndërkaq analisti Artan Muhaxhiri konsideron se ndërhyrja ndërkombëtare kësaj radhe do të jetë më i tërthortë se herave të tjera.

“Tash po përmendet koncepti më i butë i sygjerimeve, mirëpo gjithsesi një ndikim duhet të ketë sepse pa këtë ndikim është i pamundur edhe përfundimi i këtij bllokimi”, tha Muhaxhiri për Radio Kosovën.

Muhaxhiri thotë se në aspektin politik do të ishte mirë që politikanët e Kosovës vetë ta gjejnë zgjidhjen pa ndërhyrjen ndërkombëtare.

“Duket se skena politike kosovare ka ende nevojë për ndërhyrjen ndërkombëtare, ngase janë bërë më shumë se tre muaj që nuk ka asnjë orientim për daljen nga bllokada, ndërsa në të kaluarën jemi mësuar që këto bllokada të zgjidhen shumë shpejt me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtarë”, tha ai.

Sidoqoftë, analisti Imer Mushkolaj vlerëson se ndërhyrjet e ndërkombëtarëve shpesh u kanë shërbyer politikanëve në Kosovë.

“Këto ndërhyrjet që janë të mbështjellura me petkun e rekomandimeve u kanë shërbyer edhe për njëfarë amnistie të subjekteve politike dhe liderëve politikë karshi elektoratit dhe qytetarëve, duke dashur që të kamuflojnë kompromiset e tyre, të cilat duket se nuk kanë rrugë tjetër veçse t’i bëjnë edhe kësaj radhe”, tha Mushkolaj.

Ndryshe, një ditë më parë, shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zbogar ka deklaruar se faktori ndërkombëtar nuk do të ndërhyjë për zgjidhjen e ngërçit politik, por do të jap rekomandime për tejkalimin sa më të shpejtë të situatës./RTK/

Lajme të ngjashme

Back to top button