fbpx

LSDM dhe VMRO vendosin: zgjedhje ose marrëveshje politike

VMRO-ja dhe LSDM-ja pritet që së shpejti të kthehen në tryezë bisedimesh, me insistim të diplomatëve ndërkombëtarë. Sipas informatave jozyrtare, kontaktet mes dy partive tashmë kanë filluar, ndërsa kryesitë qendrore po thurin strategjitë dhe ekipet negociuese. Nga LSDM-ja nuk japin detaje rreth kontakteve me partinë në pushtet, por thonë se janë të gatshëm për dialog vetëm nëse VMRO-ja pranon të bisedojë për të gjitha 5 temat, përfshi edhe Qeverinë teknike.

‘Ne gjatë gjithë kohës demonstrojmë gatishmërinë tonë, edhe publikisht kemi deklaruar se jemi të gatshëm të hapim dialog, por tek Qeveria nuk shohim gatishmëri për të biseduar për të gjitha 5 temat. Kësaj radhe nuk e kemi ndërmend të hymë në dialog ose bisedime që do të prodhojnë një tjetër raport të tipit “letër tualeti”. Na duhet dialog thelbësor, për tema thelbësore, që do të japin rezultate’, deklaroi Renata Deskovska – Trenevska, LSDM.

Në prag të fillimit të bisedimeve, të dy partitë tentojnë të sigurojnë pozita më të mira në tavolinë. VMRO DPMNE-ja paralajmëroi zgjedhje të parakohshme nëse LSDM-ja nuk kthehet në Kuvend, që nga partia e Zaevit komentohet si kërcënim dhe shantazhim para negociatave. Nga ana tjetër, LSDM-ja deklarohet e vendosur në kërkesën e saj primare, Qeveri teknike që do të organizojë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Bisedimet intensive pritet të fillojnë brenda javës me qëllim të japin rezultat para shpalljes së Raportit të Progresit për Maqedoninë nga Komisioni Evropian më 8 tetor. Nëse edhe ky raund bisedimesh nuk rezulton me marrëveshje politike, dorëheqjet e 31 deputetëve të opozitës do të pranohen nga Kuvendi. VMRO DPMNE-ja paralajmëroi se nëse vjen deri te votimi i dorëheqjeve, presin që rreth 10 deputetë të tradhtojnë LSDM-në dhe të kthehen në Kuvend. Por sipas LSDM-së, edhe këto paralajmërime janë në vazhdën e blofeve dhe presioneve politike.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close