Ministria nuk paguan transportin e nxënësve të Likovës, pritet bojkoti i mësimit

Rreth 200 nxënës të fshatrave të komunës së Likovës që mësojnë në shkollat e mesme të komunës së Kumanovës janë gati të bojkotojnë mësimin për shkak se komuna dhe Ministria e Arsimit nuk paguan udhëtimin e tyre.

Bëhet fjalë për nxënës të gati tërë fshatrave të kësaj komune, por në numër më të madh janë nxënësit nga fshatrat Vaksincë dhe Llojan. Këshilli i prindërve të nxënësve theksojnë se sjellja e institucioneve është e papërgjegjshme dhe se ata nuk respektojnë ligjin e arsimit të mesëm të obligueshëm, transmeton Telegrafi.

Kryetari i këtij këshilli, Shaip Ramadani thekson se institucionet përgjegjëse tallen me fatin e fëmijëve tanë.

“Ne apelojmë që të marrin përgjegjësi dhe të zgjidhin problemin e krijuar. Realiteti është se kemi nxënës nga viti 2013 që janë regjistruar në Kumanovë dhe se për këtë ka dokument të drejtorit të shkollës së mesme të Likovës që miratoi regjistrimin e nxënësve në Kumanovë, për shkak të mungesës së hapësirave në Likovë. Ne jemi detyru me shkuar në Kumanovë dhe jo për arsye tjera”, theksoi Shaip Ramadani.

Sipas tij, afati për zgjidhjen e problemit është dhënë deri sot dhe në rast se nuk do të ndodhë do të bojkotojmë procesin mësimor dhe do të organizojmë protesta para institucioneve të komunës dhe Ministrisë së Arsimit.

“Ministria e Arsimit ka sugjeruar që zgjidhja duhet të bëhet nga komuna e Likovës, por edhe ajo e Kumanovës. Por ne po presim që të ketë ndonjë sinjal pozitiv, në të kundërtën do të bojkotojmë dhe protestojmë. Javën e kaluar kemi qenë në komunën e Likovës dhe se kryetari Sadulla Duraku nuk ka gjetur pak kohë për të na takuar, me arsyetimin e obligimeve të tij”, theksoi përfaqësuesi i këshillit të prindërve. Ai thekson se institucionet shtetërore e kanë për obligim të respektojnë ligjin dhe kushtet e parapara për të mbështetur udhëtimin e nxënësve nga një vendbanim në shkollën e caktuar.

Këshilli i prindërve thekson se janë rreth 200 nxënës me listë të firmosur nga secili nxënës dhe jo për 50 nxënës, që sipas tyre manipulohen si shifra nga disa individë dhe institucione lokale.

Lajme të ngjashme

Back to top button