Në territorin e Tetovës do të kryhet dezinsektimi i tretë për zhdukjen e insekteve

Sot në territorin e Komunës së Tetovës do të realizohet dezinsektimi i tretë me rradhë nga toka për zhdukjen e insekteve dhe dëmtuesve të tjerë.

Dezinsektimi, siç thuhet në kumtesë, do të kryhet në mbrëmje prej ora 22:00, dhe i njëjti do të vazhdojë deri në orët e hershme të mëngjesit të ditës së enjte.

Qytetarët të cilët merren me bletari duhet që të marrin masa mbrojtëse, që do të thotë strehimin e bletëve në kutitë e tyre, sigurimin e sasisë së nevojshme të ujit dhe mos largim të bletëve nga vendi i tyre 5-6 orë pas trajtimit të territorit.

Po ashtu është e nevojshme që qytetarët mos të dalin në rrugë për aq kohë sa zgjat trajtimi i qytetit si dhe ti largojnë veturat nga trotuaret para hapësirave të gjelbra me qëllim që ekipet të jenë në mundësi ta zbatojnë trajtimin në mënyrë të pandërprerë.

Procesi i dezinsektimit në këtë periudhe kohore bëhet kryesisht si masë parandaluese për parandalimin e sëmundjes “gjuha e kaltër”, e cila goditi bagëtitë kryesisht në pjesën lindore të vendit.

Pasi që insektet janë bartësit kryesor të kësaj sëmundjeje, procesi i dezinsektimit është i më se i nevojshëm duke pasur parasysh faktin se afrohet festa e Kurban Bajramit, kur edhe kemi qarkullim dhe shit-blerje të bagëtive nga ana e qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button