fbpx

Dy të burgosurit e rastit “Monstra” në grevë urie!

Të akuzuarit për rastin “Monstra”, Fejzi Aziri dhe Agrim Ismailoviq që nga dita e premte kanë filluar grevën e urisë në burgun e Manastirit, ku vuajnë masën e paraburgimit mëson Portalb.

Avokati mbrojtës,Naser Raufi për Portalb bën të ditur se dy të akuzuarit kanë filluar grevën e urisë në shenjë proteste kundër vonesës së aktvendimit si dhe kushteve të mjerueshme të burgut të Manastirit.

“Isha në vizitë dhe më njoftuan Fejziu dhe Agimi se kanë filluar të refuzojnë të hanë ushqim, në shenj proteste për vonesën e aktvendimit si dhe kushteve të mjerueshme në të cilat ata vuajnë masën e paraburgimit. Arsye po ashtu është kërkesa e refuzuar e tyre që të kontrollohen nga mjeku pasi që janë ankuar për shëndetin”, tha për Portalb, Raufi.

Ai shtoi se ministri i drejtësisë Adnan Jashari tha se do të angazhohet dhe do të interesohet për këtë çështje.

“Pas kërkesës time për shqyrtimin e vonesës së aktvendimit, mora përgjigje nga ministri Jashari i cili më tha se do të angazhohet dhe do të interesohet që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejtë”, shtoi Raufi.

Nga ana tjetër vëllai i Fejzi Azirit, Bedri Ajdari, bën të ditur se greva në vend se të bëhet për pafajësinë e tyre, bëhet për shpalljen e aktvendimit.

“Ata janë të pafajshëm, por ja që protestojnë për aktvendimin pasi që është e vetmja mënyrë që të fillojnë procedurat e ankesës, kjo është Maqedonia, i pafajshmi kërkon të dënohet për të dëshmuar pafajësinë. Ne po flijohemi për popullin shqiptarë, sepse ky dënim është kolektiv”, tha për Portalb Ajdari.

Ndërkaq  ministri Adnan Jashari ka kërkuar që të merren parasysh faktet dhe provat rreth rastit “Monstra” dhe ata të bëhen transparente apo publike për opinionin e gjerë. Megjithatë më e keqja është se  aktvendimi ende nuk është shpallur dhe kështu bllokohen të gjitha procedurat e ankesës.  /Portalb

 

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close