BDI të heq dorë nga ndryshimet kushtetuese, kërkesat e shqiptarëve nuk përfillen

Partia Shqiptare në pushtet, të heqë dorë nga përkrahja e VMRO-së për ndryshimet kushtetuese, sepse në to nuk përfshihen aspak kërkesat e shqiptarëve. Kështu komentuan sot profesorë dhe njohës të fushës juridike në debatin mbi ndryshimet kushtetuese, ku merrte pjesë edhe Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari, transmeton Alsat.

“Rekomandimi ynë është që subjekti politik shqiptar që participon në qeverinë e Maqedonisë të tërhiqet nga propozimet e mëtejshme kushtetuese që tashmë i ka propozuar qeveria e Maqedonisë participues i së cilës është edhe BDI, për dy arsye. Arsyeja e parë është se në këtë paketë ndryshimesh nuk është paraparë asnjë nga të drejtat e shqiptarëve që avancojnë më tej statusin juridik politik të shqiptarëve në shtet një e drejtë natyrore e patjetërsueshme dhe arsyeja tjetër që justifikon edhe më shumë është se vërejtjet tashmë të paralajmëruara nga komisioni i Venecias janë kritike”, tha Mersim Maksuti, Dekan i Fakultetit Juridik, USHT.

“Unë do thosha se subjekti politik shqiptar nuk do duhet pa kurrfarë kushti të pranojë vazhdimin e procesit të hyrjes në këto ndryshime, aq më tepër kur VMRO-ja pa këto vota nuk e ka rehatinë për t’i bë këto ndryshime. Bile bile siç tha dekani, një nga këto çështje apo dy mos më shumë që aq shumë na tangojnë mos më shumë çështjen e gjuhës e përmendi dekani që është kruciale. Ne këtu përpara materialet i kemi në gjuhën maqedonase, ne debatojmë në gjuhën shqipe kurse s’kemi material, këtu nuk janë prezantuar në gjuhën shqipe”, deklaroi Bajram Pollozhani, Profesor i të Drejtës Kushtetuese.

Për profesorin Osman Kadriu, në këto ndryshime kushtetuese, më e pakta që duhet kërkuar është përkuzufizimi që shqiptarët të cilësohen shtet-formues në Maqedoni.

“Kur u definua Republika e Maqedonisë si shtet nacional, shqiptarët dolën në grupin e dytë dhe e humbën atë atribut që e kishin në kushtetutën e ‘74, element konstitutiv i Maqedonisë. Kjo duhet të rregullohet. Ju lutemi, sa më shpejtë”, tha Osman Kadriu, profesor.

Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari, çështjen e mos përfshirjes së elementit shqiptar në këto ndryshime, e ka arsyetuar se ka të bëjë me marrëveshje politike, e arritur mes BDI-së dhe VMRO-së.

“Këto ndryshime kushtetuese nuk kanë karakter të natyrës politike apo nuk prekin në çështjet ndëretnike sepse kam pasur pyetje nga gazetarë të shumtë përse kërkesat e shqiptarëve që janë artikuluar në zgjedhje të ndryshme nuk janë përfshirë në këto ndryshime. Gjithnjë kam theksuar dhe do përgjigjem edhe këtu; Ministria e Drejtësisë është pjesë e qeverisë dhe këto ndryshime janë harmonizuar në momentin e formimit të qeverisë përmes marrëveshjes politike midis liderëve të partive politike që përbëjnë këtë koalicion”, deklaroi Adnan Jashari, Ministër i Drejtësisë.

Megjithatë, ministri i drejtësisë Jashari u shpreh i hapur të mirëpresë vërejtje dhe sugjerime në adresë të dikasterit të tij, me shkrim.

Lajme të ngjashme

Back to top button