Ivanov: Vetëm elita greke jeton në Luftën e Ftohtë

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov dje mbajti ligjëratë për studentët e një prej universiteteve udhëheqëse amerikane, Jeil, në të cilën u përqendrua edhe në situatën aktuale rreth kontestit për emrin me Greqinë. Presidenti Ivanov para studentëve në universitetin e dytë më të madh në SHBA paraqiti kontrast të fuqishëm midis, siç tha, modelit të Maqedonisë të integrimit të të gjitha bashkësive etnike dhe fetare, dhe modelit grek.

“Çështja është komplekse, por esenca është në botërat e ndryshme të cilat krijohn në mendjet e njerëzve. Greqia është krijuar si shtet me një religjion, një komb, një gjuhë. Maqedonia është krijuar si shtet i cili i respekton të gjitha gjuhët, të gjitha religjionet, të gjithë identitetet etnike. Në gjithë Ballkanin ndryshuan elitat dhe erdhën elita të reja, vetëm në Greqi ende kemi elita nga Lufta e Ftohtë. Ende një pjesë e elitave politike në Greqi e shfrytëzojnë këtë retorikë, edhe pse tek popullsia qasjet janë teje më të ndryshme. Për këtë arsye e kemi këtë kontest në Kombet e Bashkuara, ku ne jemi vendi i vetëm në historinë e KB-së të cilit nuk i është lejuar ta realizojë të drejtën e vetë-identifikimit”, deklaroi presidenti Ivanov, në ligjëratën e tij në Fakultetin teologjik të Universitetit Jeil.

Fjalimi i Ivanovit në Jeil pasoi pas takimit të ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë Evangelos Venizelos me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-mun në Nju-Jork. Venizelos përmes kumtesës porositi se Greqia ende kërkon që Maqedonia ta ndërrojë emrin, përfshirë edhe për përdorim vendor.

Lajme të ngjashme

Back to top button