Zgjohu: Reagimi i MPJ ndaj ambasadës së SHBA diletantizëm politik

Lëvizja Qytetare Zgjohu e vlerëson aktin e djeshëm të protestës ndaj SHBA-ve nga ana e MPJ si diletantizëm politiko-diplomatik dhe si veprim të pamenduar mirë që do të ketë pasoja negative për ardhmërinë e vendit.

Lëvizja Qytetare Zgjohu! përkujton se aleati më i madh i Maqedonisë nga pavarësimi e deri në ditët e sodit janë ShBA; mbështetja politike, ndihmat dhe donacionet në shumë sfera të ndryshme nuk kanë munguar, prandaj reagimi ndaj ShBA është jashtë çdo logjike të shëndoshë. Pasiguria identitare dhe komplekset historike nuk guxojnë të jenë ngarkesë dhe pengesë për marrëdhënie të mira me mikun më të fortë në glob e as me shtetet fqinje ballkanike.

Reagimi ndaj Ambasadorit Jess Bailey nuk është rast i izoluar sepse kjo garniturë e ka të sprovuar këtë taktikë ndaj ambasadorëve miq, si atij të BE Fouere, Holandezeve Shurman dhe Filipini, Gjermanes Shtajnaker, etj.

Zgjohu! e fton MPJ të Maqedonisë të përpilon politikë reale dhe të mirëfilltë të jashtme duke e vendosur procesin integrues të vendit si prioritet absolut dhe të mos i përkeqësojë marrëdhëniet me partnerët strategjik të vendit.

Zgjohu! Po ashtu shpreson që miqtë tanë amerikan të mos jenë shqetësuar nga ky veprim amatoresk i MPJ dhe të mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike. Shprehim faliminderimet tona të sinqerta për ekselencën e tij Ambasadorin Wohlers për mandatin e tij të suksesshëm në përfundim dhe mirëpresim Ambasadorin e rij të ShBA në Shkup Bailey duke i dëshiruar sukses në këtë post të rëndësishëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button