Ahmeti takohet me të dërguarin e OKB për Ballkanin Piter Dju

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur në selinë e partisë në Tetovë, Piter Dju, i dërguar i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB për Ballkan.

Bashkëbiseduesit diskutuan për marrëdhëniet në rajon, situatën politike në vend dhe integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

Kryetari Ahmeti i cilësoi marrëdhëniet institucionale me Kosovën dhe Shqipërinë si të shkëlqyera dhe theksoi që komunikimi midis autoriteteve të vendeve tona është në nivel.

Ahmeti u ndal pikërisht në rolin e OKB dhe të ndërmjetësit Metju Nimic për zgjidhjen e kontestit midis Maqedonisë dhe Greqisë mbi emrin e vendit tonë. Ky problem po e mban Shkupin larg Brukselit dhe ka ngulfatur perspektivën tonë EuroAtlantike gjë që po nxit pakënaqësi dhe dëshpërim tek qytetarët tanë.

Ahmeti nënvizoi nevojën për aktivitet më të theksuar dhe të shpeshtuar të OKBsë sepse problemi zgjidhet vetëm me qasje pro aktive dhe intensive, andaj dhe luti Dju që t’ia përcjell këto vështrime edhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB.

Njëkohësisht, Kryetari Ahmeti foli edhe për nevojën e rritjes së gatishmërisë në Shkup dhe Athinë për dialog të mirëfilltë që do të mundësonte anëtarësimin e Maqedonisë në NATO ndërsa më pas, procesi për integrim në Bashkimin Evropian do të vijojë sipas përmbushjes së kritereve.

Ahmeti dhe Dju folën edhe për rastin Monstra me ç ‘rast u përsërit kërkesa për transparencë dhe kredibilitet të procesit si dhe mbikëqyrje ndërkombëtare të procedurave dhe dëshmive.

Lajme të ngjashme

Back to top button