BE-Maqedoni, çfarë po ndodh me prioritetet?

Atë që Bashkimi Evropian e vendosi, që korridori 10 ose autostrada Serbi-Greqi e cila kalon nëpërmjet Maqedonisë, të mos jetë prioritet dhe ndihmën e saj ta kalojë në dy korridore të tjera më të rëndësishme, analistët e vlerësojnë si një lloj hakmarrje e BE-së për sjelljen e Serbisë dhe Maqedonisë ndaj krizës në Ukrainë dhe rreth projektit ‘Rrjedha e Jugut’ për të cilin të dyja shtetet nuk duan të heqin dorë.

“Evropa po ndërton një politikë të përbashkët për energjinë me qëllim që të jemi sa më të pavarur nga Rusia. Në këtë proces, ato sigurisht që presin përkrahje nga ato shtete që dëshirojnë të jenë pjesë e Unionit, mendoj që kjo është joserioze nga ana jonë dhe mund të ketë implikime më serioze në të ardhmen”, deklaroi për REL, Bojan Mariçiq nga Qendra Evropiane për arsim Evropian.

Ekspertët thonë se qeveria nuk ka ambicie të mëdha për tu anëtarësuar në BE, përveç që vetëm deklarohet se Maqedonia duhet të jetë pjesë e BE-së dhe duhet të bëhet gjithçka në këtë drejtim.

“Korridori 10 ka humbur rendësin e  vet tek qeveritë evropiane për shkak të zhagitjes nga Serbia, por edhe Maqedonia deri në fund nuk e ka bërë punën e vet”, ka deklaruar profesori universitar Vullnet Palloshi ekspert për infrastrukturën rrugore.

Sipas tij, lajmi se Evropa tërhiqet nga korridori 10 do ët thotë se në sipërfaqe del korridori 4.

“Me gjithë punimet në pjesën Demir Kapija – Smokvica, Maqedonia rrumbullakos pjesën e vet për korridorin 10, përsëri afera Aktor ka hedhur një njollë të zezë në gjithë punën”, thotë Vullnet Palloshi.

Sipas Edmond Ademit, qeveria po sillet si një nxënës i dobët i cili dëshiron të merr vetëm një notë kaluese.

“Nuk është me problem Greqia, problem bëhet edhe kriteret politike të Kopenhagës, kryesisht me lirinë e shprehjes dhe mungesës së dialogut politik”, deklaroi Ademi.

Neziri pa përgjigje për heqjen e Korridorit 10 nga lista e prioriteteve të BE-së

Ministri i ekonomisë  Bekim Neziri refuzoi ta komentojë informacionin se korridori 10 nuk është në listën me  prioritet për mbështetje financiare nga BE-ja.

‘Do të doja që çështjet që nuk janë temë e sotme t’i lemë për ndonjë konferencë tjetër për shtyp’, tha Bekim Neziri ministër i ekonomisë

Nga Ministria e transportit dhe lidhjeve për Alsat M thonë se ndërtimi i korridorit 10 në vendin tonë nuk cenohet. Korridori është në listën e Unionit, por në pjesën që  ka të bëj me vendet e Ballkanit perëndimor.

Lajme të ngjashme

Back to top button