Strugë, fillon heqja e kioskave, protestojnë pronarët

Të hënën në Strugë, ka filluar aksioni për largimin e kioskave të cilat tashmë nga një kohë e gjatë janë të vendosura në zona të ndryshme të qytetit. Kundër këtij vendimi dhjetëra pronarë të këtyre kioskave kanë organizuar një protestë para godinës së komunës së Strugës, duke kërkuar nga kryetari Sela dhe institucioni që ai drejton që të tërhiqen nga ky vendim që ata e quajnë të paligjshëm.

”Ne nuk jemi kundër Komunës dhe kryetarit që të vendos rregullin edhe në këtë fushë por nuk jemi që kjo të bëhet në kundërshtim me ligjin dhe në kurriz të 500 të punësuarave në këtë biznes. Shteti investon dhe ndihmon për nisjen e një biznesi duke dhënë tre mijë euro ndërkohë këtu me një vendim të jashtëligjshëm mbyllen më shumë se 100 të tilla” tha Kujtim Qyra, një nga protestuesit para komunës së Strugës.

Sipas vendimit të këshillit komunal të Strugës, aksioni për heqjen e kioskave dhe lirimin e hapësirave publike duhej të fillonte para disa muajsh, por nga komuna e Strugës theksuan se me kërkesë të pronarëve është toleruar që të njëjtët të shfrytëzojnë sezonin turistik veror që sapo kaloi.

Heqja e kioskave si dhe çlirimi i hapësirave publike në qytetin e Strugës, ka qenë premtim i fushatës elektorale të kryetarit Ziadin Sela.

Lajme të ngjashme

Back to top button