Dallëndyshet

Njerëzit bisedojnë për politikën në punë, në kafene, kudo, komentojnë, kurse ai hesht. E ka një lëmsh në shpirt, një hall që s’e lë të bëzajë. Shkon në punë heshtazi, kthehet në shtëpi heshtazi. Një  ditë, kur kthehet në shtëpi, qetësi. Nuk ka njeri. Del në ballkon në të cilin gruaja e tij e vyeshme ka mbjellë lule në zhardinierë dhe nëpër vazo. E ka stolisur me lule bre që ç’ke me të dhe e ka bërë një lulishte të paparë në miniaturë aty. Ai as që e merr telefonin të pyesë ku kishin shkuar njerëzit e familjes së tij. E di se janë të shpërndarë pas punëve. Madje i vjen mirë që s’janë në këto çaste në shtëpi. Ndjen nevojë të jetë pakëz vetëm në këtë ballkon, ta analizojë aty në vetmi se nga i vjen ky lëmsh, nga e ka burimin hidhëtia që i palohet kështu në shpirt, ndonëse halle të natyrës materiale nuk ka. Punon natë e ditë, me orë të tëra dhe kuptohet fiton për të mos qenë i varur prej askujt për një copë bukë. Atëherë nga vjen kjo hidhëti e mallkuar? I shtrin këmbët në divanin e vendosur në ballkon, e mbështet kokën në njërën nga nënkrejcat e buta të cilat e shoqja i ka lënë në të dy anët e divanit, sa për bukuri, aq edhe për punë praktike: të mbështeten njerëzit që duan të pushojnë në këtë kënd qetësie me lule. Rehatohet mirë dhe e shikon qiellin e kthjelltë. Sërish e ndjen hidhëtinë që ia mban emocionet vazhdimisht të tendosura, pastaj paanësia e qiellit e frikëson. Dhe, i duket se lëmshi i rritet, kurse paanësia i kanoset.

I duket vetja e imtë, shumë e imtë dhe e parëndësishme. E kruan kryet, jo pse iu kruajt, por  thjesht  e kroi si njeriu që ka siklet e s’di si ta largojë shkaktarin e sikletit. Me “këtë arsye”, e kruan kryet edhe një herë, se e shqetëson vetmia që e ngre kryet kur njeriu ballafaqohet me hapësirën e paskajshme, me pafundësinë dhe me imtësinë e vet para kozmosit. Duke dashur të dalë nga kjo situatë, thotë vet me vete: “ku paska shkuar kjo grua”? Pastaj lëshojnë duke cicëruar disa dallëndyshe e vallëzojnë rreth çerdheve të tyre në këndet e tavanit të ballkonit. Në të vërtetë, shkon njëra, vjen tjetra duke u sjellë ushqim zogjve të tyre, të cilët vazhdimisht e mbajnë gojën hapur që prindërit e tyre t’ua mbushin fytin e pangishëm me fara e me insekte. Dallëndyshet e ndërrojnë skenën e pasigurisë që ta jep ballafaqimi me pafundësinë. E ofrojnë mikrokozmosin.
Ai tash është pra në një terren të ri. Mendon: merre me mend, kur jam unë si njeri i imët në këtë hapësirë të pafund, po çka mund të thotë dallëndyshja? Po insektet të cilat i gjuan ajo? Pastaj: të imta, të imta – po e bëjnë punën e vet, luftojnë për ekzistencë, mendon. Ofrojnë kuptime të padiskutueshme, bukuri, bukurinë e jetës. A thua, kanë ndonjë hall dallëndyshet? Kanë si s’kanë, mendon, por halli i tyre është vetëm sigurimi i ushqimit dhe i çerdhes. Këto, mendon ai, këto halle i ka edhe njeriu. Edhe njeriu ushqimin dhe strehën mbi kokë i ka me rëndësi të dorës së parë. Pastaj qesh. Ushqimin e siguroj edhe unë, strehë mbi kokë kam, po çfarë është ajo që më mundon kaq shumë? Atëherë një thnegël duket në degëzën e një luleje. Ecën me mundim duke mbajtur një krah mollëkuqeje. O Zot, ja imtësia! Po jetën e bëkan cikërrimat. Si ne që jemi në univers! Pastaj i tjerr të gjitha rrethanat duke e kërkuar shkakun e hidhëtisë që i është bërë si lëmsh në kraharor. Përsëri qesh. Kësaj radhe pak si tharët, si thonë. Sa mirë që dallëndyshet e thneglat nuk kanë këso hallesh si tonat, se nuk do të kishin mundur t’i mbajnë edhe në proporcionet përkatëse. Dhe, fillon të numërojë me gishta. I numëron shkaqet që e bëjnë të mos  jetë i lumtur. Që e shqetësojnë. Që e mërzisin.
“Phu, nanën”! shan. Nuk qenka vetëm një arsye. Ngrihet, hyn në dhomë dhe e merr një fletore e një laps e nis të shkruajë. I shkruan të gjitha rrethanat që e mundojnë, gjithmonë duke lënë edhe një koment prapa. Para çdo fjalie e vë një vizë e shkon me radhë. E para, politika e Shqipërisë pas Luftës së dytë e këndej ndaj shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve. Kjo politikë është shumë përfund nivelit të politikës së Shqipërisë së para Luftës së dytë botërore. I kujtohen studimet e Qerim Litës për historinë e shqiptarëve në shek. XX, që janë dëshmi e fortë për këtë paradoks. Sa përpjekjet i kanë bërë diplomatët e atëhershëm të Shqipërisë ta ruajnë identitetin shqiptar këtu. Tash… Tash – jo… Keq… është komenti. Menjëherë pas këtyre fjalive e shkruan vërejtjen për partitë politike shqiptare këtu në Maqedoni, të cilat nuk po ia dalin të bëjnë së paku një hap për ta nxjerrë popullin shqiptar nga kjo situatë e mjerë si ekonomike ashtu edhe politike, kulturore e shoqërore. Votën na e marrin e na lënë si uji amull! shkruan. Në vazhdim e shkruan si shkak të shqetësimit të tij arsimin. I vjen keq se arsimi tash i duket shumë më i dobët se në kohën kur ai ka qenë nxënës. Në këtë moment madje është më i dobët se në kohën kur fëmijët e tij tash tridhjetë e sa vjeç e kanë mbaruar shkollën fillore. Në fund të këtij mendimi shkruan: keq e më keq! Pastaj në letër e shënon shëndetësinë. Çfarë shëndetësie kemi, shkruan, kur nëpër korridoret e klinikave ecin lirshëm buburrecat. Kur e kanë burokratizuar tmerrësisht kontrollin ose shtrirjen në spital.

Është bërë derë hekuri dera e spitalit, vëlla. Pikë. Vazhdon me ndarjen territoriale, që praktikisht na ka getoizuar, pastaj me sportin, ku rinia jonë sa s’është përjashtuar nga ky aktivitet. Kur vjen te sporti e nënvizon fjalën sporti,e shton komentin: pse fëmijët tonë bëhen futbollistë me nam në Zvicër, në Gjermani e gjithandej, kurse këtu shanset i kanë minimale. Pse? Ngrihet dhe e merr një gotë ujë të ftohtë nga frigoriferi, sepse e ndjen se po i thahet pështyma në gojë. Hidhëtia përsëri i tregon thonjtë e saj. E pi ai një gjysmë gote. Përsëri shtrihet në krah të majtë dhe me dorë të djathtë vazhdon t’i shkruajë rrethanat. Vizë, pastaj kjo e kjo dhe komenti. Dikur ndalet dhe nis ta shtypë lapsin mbi fletore: Marrëveshja e Ohrit. E shkruan dhe ndjen hidhëtinë e madhe që e shton presionin në shpirt. Në këtë gjendje, si shirit filmi i renditen fyerjet të cilat na i bëjnë mediat maqedonase në baza kombëtare, pastaj edhe politikanët, kurse ne gjithmonë mbetemi pa përgjigje. Shkruan edhe për to, për mediat:. E patë çfarë lajmi sillej gjithë ditën nëpër TV-të maqedonase një ditë para se ta vizitonte papa Shqipërinë? Si munden vazhdimisht ta rrotullojnë lajmin se papa qenka i rrezikuar pse ardhka në Shqipëri?! E patë se vizitën e papës, pastaj, gati se e heshtën. Këtë mesazh të tyre të keq, s’ka lexues që s’e kupton. Nuk dua më të flas për ta. Edhe një herë e vë pikën duke e shtypur lapsin Pastaj: çfarë talljeje është kjo Marrëveshja e Ohrit. Po tekstet shkollore që janë plot fyerje të papara. I shkruan edhe tekstet shkollore. Punësimet në sektorin shtetëror dhe në atë privat. Shqiptarët këtu marrin pjesë me një përqindje krejtësisht të vogël të të punësuarve, shton.

Pastaj e lë të shkruarit dhe e hedh fletoren poshtë, duke e lënë gjysmë të hapur midis vazove. I vjen një rrymë zjarrmie si llavë dhe ia përshkon shtatin. Ulet dhe i heq çorapet. Don të ngrihet, t’i shpërlajë sytë, po ndërkohë bie zilja. Duke shkuar ta hapë derën thotë: sa rehat jeni moj dallëndyshe! Juve askush nuk mund t’jua kufizojë lirinë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button