CIA: Ja çfarë pyeti Bush para sulmeve të 11 shtatorit

Në mesin e dokumenteve të inteligjencës amerikane, të quajtura “11 shtator 2001 me Presidentin”, është edhe ai i cili përshkruan ditën e ish-presidentit amerikan, George Bush, gjatë sulmeve terroriste.

Vetëm 30 minuta para se stafi i tij t’i njoftonte sulmin e avionit të parë mbi kullat binjake të Qendrës Tregtare Botërore, Bush po lexonte gazetën, transmeton Shekulli.

Atij iu afrua zëvendësdrejtori i CIA-s, Michael Morell, ndërsa Bushi e pyeti, “A ka diçka interesante sot?”

Atë kohë ish-presidenti amerikan dhe stafi i tij ishin në një udhëtim zyrtar. Ishin në hotelin “Longboat Kay” të Floridas.

Presidenti e pyeti stafin e tij a kishin bërë gjumë të qetë dhe a i kanë dëgjuar valët e plazhit. Vetëm disa minuta më vonë, pasuan ngjarjet që do të shënohen si më tragjiket gjatë presidencës së Bushit, por edhe në historinë e re amerikane.

Në momentin derisa kulla e parë po digjej, presidenti Bush ishte duke shkuar në shkollën fillore “Booker” në Sarasota. Atë e telefonoi sekretari i Shtëpisë së Bardhë, i cili i konfirmoi lajmin.

“Bush u kthye nga unë dhe më pyeti: Michael, di gjë për këtë? I thashë jo, ndërsa shtoi se shpreson që ky të ishte një aksident dhe jo një akt terrorist”, rrëfen Morell.

Ndërsa Bush ishte ulur në klasë me nxënësit e klasës së parë, Morell i jep lajmin e sulmit të dytë.

Tani ishte bërë e qartë që Shtetet e Bashkuara po sulmoheshin nga terroristët. Morell raportoi se fytyra e Bush-it u ngri.

“Ishte qetë për pesë minuta në një hapësirë të hapur, kjo ishte një ndjenjë e pakëndshme. Pastaj të gjithë u drejtuan nga avioni presidencial, i cili u kontrollua me kujdes nga frika se edhe ai mund të ishte pre i sulmeve. Gjatë fluturimit për në Luiziana, të gjithë ishin të shqetësuar dhe të tronditur. Presidenti ishte i fortë.

Ai më pyeti se kush mund ta ketë bërë. Unë i thashë se pas sulmit ndoshta është Osama bin Laden dhe Al-Kaeda”, është shprehur Morell.

Lajme të ngjashme

Back to top button