fbpx

The Telegraph: 10 gjërat që mund të mos i dini për vendin më të keqkuptuar në Evropë

Miliona njerëz nga e mbarë bota një ditë më parë e kanë përqendruar vëmendjen në tokën shqiptare, e cila më 21 shtator priti Papa Françeskun, një ndër personazhet më me influencë në botë.

Po çfarë di bota për ne. Prestigjiozja britanike “The Telegraph” përpiqet që në një shkrim të datës 22 shtator t’u japë lexuesve të saj një pasqyrë të përgjithshme për vendin që priti në mënyrë madhështore Atin e Shenjtë.

Gazeta britanike e hap shkrimin e saj me vizitën një ditore të Papës në Shqipëri dhe simbolikën e kësaj vizite që për ta është rilindja e besimit fetar në Shqipëri, pas shtypjes që i është bërë me dekada nga diktatori Enver Hoxha.

“Vizita e tij ka qëllim të nxjerrë në pah bashkëjetesën harmonike mes myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve, kundër një sfondi dhune dhe trazirash në pjesën më të madhe të botës islame”, shkruan “The Telegraph”, duke rreshtuar më tej 10 fakte që duhet të dihen për Shqipërinë:

10 gjërat që mund të mos i dini për vendin më pak të kuptuar në Evropë

1 – Në gjuhën shqipe, Albania njihet si Shqipëria. Rreth 10% e shqiptarëve janë katolikë, ndërsa 60% janë myslimanë dhe pjesa tjetër të krishterë ortodoksë.

2 – Shqiptarët i kanë rrënjët e tyre nga fiset e lashta ilire, të cilat pushtuan Ballkanin perëndimor gjatë mijëvjeçarit të dytë para Krishtit. Gjuha e tyre rrjedh nga ilirishtja, me një përzierje romake dhe ndikime sllave.

3 – Fjala “Yes” në gjuhën shqipe është “Po”. Fjala “No” është “Jo”

4 – Shqipëria ka qenë një aleate e ngushtë e BRSS-së deri në vitin 1960, deri sa më pas u bë partnere e Kinës komuniste.

5 – Nën diktaturë dhe sundimin stalinist të Enver Hoxhës, feja u ndalu dhe Shqipëria u shpall shtet ateist në vitin 1967. Të gjitha kishat dhe xhamitë kanë qenë nën patronazhin e shtetit deri në vitin 1990. Rreth 95% e godinave fetare ishin shkatërruar ose konvertuar për funksione të tjerë, si kinema dhe depo.

Gati 2 mijë kisha katolike dhe ortodokse u shkatërruan. Më shumë se 100 priftërinj katolikë dhe peshkopë u ekzekutuan ose vdiqën nga torturat dhe kampet e punës. Këtij qëllimi i shërbeu edhe muzeu ateist i ngritur Hoxha.

6 – Nën regjimin komunist, i vetmi aktor perëndimor që pranohej nga Hoxha dhe ndihmësit e tij ishte komediani britanik, Norman Wisdom, i cili u bë një figurë kult në këtë vend.

7 – Një nga karakteristikat më të çuditshme të sundimit komunist ishte ndërtimi i dhjetëra mijëra bunkerëve. Të shpërndara anekënd vendit, ato u ndërtuan me qëllim për t’i bërë ballë armikut që kurrë nuk e kishin. Vlerësohet se numri i tyre shkon deri në 750 mijë, një për çdo katër shqiptarë.

8 – Komunizmi perëndoi në vitet 90-të, për t’ua lënë vendin lirisë kaotike, korrupsionit të shfrenuar, emigracionit dhe kontrabandës. Rreth tre të katërtat e shqiptarëve humbën kursimet e tyre në vitin 1996, kur skemat piramidale të kursimeve private u shembën duke shkaktuar trazira në mbarë vendin.

9 – Ndoshta shqiptari më i famshëm në botë është Nënë Tereza, murgesha katolike që punoi për dekada në lagjet e varfra të Indisë. Në fakt ajo ka lindur në Shkup, tani kryeqyteti i Maqedonisë, por ajo ishte shqiptare në përkatësinë etnike.

Ajo fitoi Çmimin Nobel për Paqe, për punën e saj me të varfrit dhe të sëmurët. Ajo vdiq në vitin 1997 në moshën 87-vjeçare. Papa e mbajti meshën e tij në Tiranë në sheshin që mban emrin e Nënë Terezës.

10 – Tirana e lyer në gri, shtëpi dhe blloqe zyrash të kohës komuniste të ngjyrosura nga Edi Rama, ish-kryetari i bashkisë së kryeqytetit, i cili urdhëroi që ato të ngjyrosen me shkëlqim dhe ngjyra tepër të ndezura./ Shekulli

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close