Plisat nuk tërhiqen: Shihemi në Beograd

Shkrimet e fundit në mediat serbe, adresuar grupit të tifozëve nga Kosova, “Plisat”, për problemet që mund t’i sjellë udhëtimi i tyre në Serbi sipas atyre mediave, e ku nuk mungojnë edhe kërcënimet nga më të ndryshmet nëpër komentet për “Plisat”, nuk është duke i shqetësuar këta të fundit,që tashmë kanë nisur përgatitjet për ndeshjen Serbi – Shqipëri.

“Plisat” tanimë kanë vendosur, flamuri kuq e zi nuk do të mungojë në stadiumin e Partizanit të Beogradit, ku do udhëtojnë për të përkrahur kombëtaren shqiptare në udhëtimin më të vështirë të tyre, në këto eliminatore, transmeton Indeksonline.

Lajmin për udhëtimin në Serbi e rikonfirmon edhe një herë udhëheqësi i “Plisave”, Albert Kastrati, i cili për Indeksonline, deklaron s’e kanë filluar regjistrimet dhe kanë regjistruar disa anëtarë të tyre, për udhëtimin në Serbi.

“Kemi aranzhuar autobusët për udhëtim, dhe çdo ditë po regjistrohen tifozë që kanë shprehur dëshirën për të mbështetur Shqipërinë në Serbi”, deklaroi Kastrati.

Ndërsa i pyetur në fund rreth shkrimeve që qarkulluan sot në mediat serbe, Kastrati deklaroi: “Ne nuk merremi me ata që gjithmonë sportin e përziejnë me politikën”.

Lajme të ngjashme

Back to top button