Shkolla e mesme e Sarajit nuk ndërtohet në afat, prishet kontrata me kompaninë

Objekti i shkollës së mesme të Sarajit, që filloi të ndërtohet në korrik të vitit të kaluar ka mbetur vetëm në shtylla.

Kjo shkollë u paralajmërua si një ndër projektet më të rëndësishme për arsimin shqip në Maqedoni, por përfundoi si dështim, të paktën deri tani, transmeton Alsat M.

Tenderi për ndërtimin e shkollës është fituar nga kompania “Alkon Proekt”. Për 14 muaj që nga vendosja e gur-themelit, kompania ka përfunduar jo më shumë se 30% të objektit, pas të cilës ka ndërprerë punimet. Për shkak të shkeljes së afateve, Ministria e Arsimit ka ndërprerë kontratën dhe ka aktivizuar garancinë bankare të kompanisë. Gjithashtu, me kërkesë të ministrisë “Alkon Proekt” është vendosur në listën e zezë të Byrosë për Furnizime Publike, që pamundëson këtë kompani të marrë pjesë në tenderë publik në dy vitet e ardhshme.

“Ndërkohë kemi ndërprerë edhe marrëveshjen me realizuesin e punimeve, për shkak të mos realizimit të punimeve në afatin e caktuar me marrëveshje, gjithashtu në ndërkohë kemi aktivizuar edhe garancinë bankare. Kemi njoftuar edhe Byronë për Furnizime Publike, me qëllim që e njëjta kompani të vendoset në referenca negative”, deklaroi Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit.

Ministria e Arsimit do të rihap tender të ri brenda 10 ditësh, për pjesën e mbetur të punimeve në shkollën e mesme të Sarajit. Deri në përfundimin e saj, nxënësit e fshatrave që gravitojnë në Komunën e Sarajit duhet të udhëtojnë më tepër se 1 orë në një drejtim, për të arritur në shkollën më të afërt të mesme në gjuhën shqipe, Zef Lush Marku.

Lajme të ngjashme

Back to top button