Brendia e një salle që shkatërrohet ende pa u ndërtuar në fshatin Shemshovë

E filluar për t’u ndërtuar para më shumë se 10 vjetësh, por ende në mëshirë të fatit. Në vend të kësaj, edhe ajo që ishte nisur, rrënohet dita ditës. Salla e sportit në fshatin Shemshovë, për momentin i ngjan një objekti të braktisur, me murre të shembur, inventar të dëmtuar, madje papastërtitë e hedhura rrezikojnë shëndetin e fëmijëve që e përdorin atë si strehë për të luajtur. Kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit thotë se, edhe pse paratë për vazhdimin e ndërtimit ishin lëshuar një herë, por ato përsëri ishin tërhequr nga qeveria, pa sqarime për tërheqjen e transaksionit, transmeton Alsat.

“Kjo është lënë pas dore, nuk e dimë, ndoshta nuk ka buxhet. Një herë u lëshua një fond por e tërhoqi sërish qeveria. Tani shpresojmë që do merren hapa në këtë drejtim sepse kemi bërë disa herë kërkesa por nuk janë realizuar pasi nuk ka buxhet. Tani shpresojmë sepse kemi ministrin tonë shqiptar. Ai është vendas yni dhe besojmë se do e kryej këtë. Është nisur që nga 2003 dhe nuk është realizua ende. Është dëmtua mjaft. Nëse janë dashur 100 mijë euro, tani do duhen 150 mijë pasi salla është dëmtuar mjaft. Aktivitetet por momentin i zhvillojnë jashtë. Nuk kanë kushte për aktivitete sporti”, tha Rexhep Murseli, Kryetar i Bashkësisë Lokale të Shemshovës.

Ali Alili, ish këshilltar në kuvendin komunal të Jegunocit, thotë madje se autoritetet lokale kishin zhvilluar rregullisht edhe tenderin për firmën që do të realizonte piunimet, por projekti mbeti në letër për shkak të tërheqjes së parave nga qeveria.

“Mjetet ishin në komunë. Një vit ndenjën dhe pas një viti me automatizëm, ministria ktheu të hollat. Arsyetimi nuk dihet! Paratë ishin në komunë. U hap tenderi, u fitua tenderi, mirëpo nuk u realizua puna”, deklaroi Ali Ali, Ish këshilltar komunal i Jegunocit.

“Na pengon shumë por s’ka kush ta bëjë. S’ka kush ta bëjë, se nuk kemi shtet njëherë që ta bëjnë këtë. Derisa nuk rregullohen punët, do shohim tutje”, tha një banor.

Alsat kontaktoi edhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për objektin në fjalë, nga ku deklaruan përmes telefonit se salla do të rregullohet vitin e ardhshëm, në kuadër të projektit për ndërtimin e katër sallave sportive, të planifikuara për në Debresh, Shemshovë dhe dy të tjera në pjesën lindore të Maqedonisë. Po ashtu, nga kjo ministri thanë se 1 milion euro janë ndarë edhe për ndërtimin e sallës në fshatin Gradec të Gostivarit, si dhe një në Strugë.

Lajme të ngjashme

Back to top button