“Tingujt e Çarshisë”, një javë me këngë, valle dhe aktivitete tjera artistike

Prej sot në Çarshinë e Vjetër të Shkupit do të jehojë kënga dhe vallja shqipe. Një javë aktivitete në kuadër të “Ditëve të Çarshisë”, do të mbledhin në një vend edhe artistë të huaj, piktorë, muzikantë dhe shkrimtarë.

Piktorët do të hedhin në pëlhurë pjesë të ndryshme të Çarshisë, në çdo rrugë të saj do të mbahen koncerte që do të kënaqin shijet e të gjithë grupmoshave, do të ketë edhe promovime librash. Sivjet, në Çarshi do të mbahet edhe një manifestim tjetër, tepër i veçantë, “Java arbëreshe”.

“Aktivitetet do të mbahen në të gjithë rrugicat e Çarshisë ku do të marrin pjesë një numër i madh I artisëve, aktorëve, piktorëve të ndryshëm, do të ketë performanca të ndryshme, duke filluar me Orkestrën frymore të studentëve tanë pastaj kuartete të ndryshme të instrumenteve të ndryshme që do të shpërndahen në gjithë rrugicat apo kalldërmën e Çarshisë, bendet e ndryshme, koloni të artit, kulturës, piktorët do të vizatojnë pamje të ndryshme të Çarshisë së Vjetër, rok bende nga vendi dhe rajoni”, shprehet drejtoresha në Qendrën Informative Kulturore-Shkup, Sermine Purrini për TVM 2.
Për të nëntën herë “Tingujt e Çarshisë”, vijnë me mesazhin e qartë – “Të argëtohemi”, mesazh për kulturat e ndryshme dhe bashkëjetesën që më së miri dallohen pikërisht në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

“Manifestimi Tingujt e Çarshisë 2014 është edicioni i nëntë që fillon, në bashkëpunim me komunën e Çairit, me moton ‘Java e Arbëreshëve’ që do të na vijnë mysafirë prej Kalabrie, prej 20 komunave të Italisë, ku jetojnë arbëreshë, ne së bashku me Universitetin Shtul, Ministrinë e Ekonomisë, Qytetin e Shkupit, Ministrinë e Kulturës”, shprehet drejtoresha e Qendrës Informative Kulturore-Shkup, Sermine Purrini.

Agjenda e performimeve është mjaft e ngjeshur dhe do të kurorëzohet me dy koncerte të mëdha me grupin Elita – 5 dhe Sofrën Shqiptare. Një javë aktivitete që do ta ngjallin tërësisht Çarshinë e Vjetër, vendin më atraktiv të Shkupit, e cila edhe sivjet do të tregojë, se me pak angazhim, mund të mbetet qendra jo vetëm e zanateve, por edhe e promovimit të kulturës.

Lajme të ngjashme

Back to top button