Urko dyshohej se bënte publike informacione sekrete të kryeministrit Gruevski

Cila është arsyeja e vërtetë për heqjen nga detyra të truprojës së parë të kryeministrit Nikola Gruevski, Dejan Mitrevski – Urko?

Sipas portali “Libertas”, Urko është mënjanuar nga detyra “shef i sigurimit”, pasi është dyshuar se po nxjerr në publik sekretet e kryeministrit.

Portali përcjell edhe versionin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas të cilit, truproja besnike e kryeministrit nuk ka respektuar standardet profesionale, ndaj dhe ai është pezulluar dhe kundër tij është ngritur procedurë disiplinore.

Libertas shkruan më tej se momenti i ndarjes së kryeministrit nga Urko, është ai kur pak para se të nisej për në Turqi, kishte mësuar rrjedhjen e informacionit për qëndrimin e tij në Monte Karlo dhe në Paris.

Ky fakt, gjithnjë sipas portalit, ka qenë molla e sherrit mes kryeministrit dhe truprojës, pasi i pari e kishte akuzuar të dytin se ishte përgjegjës për rrjedhjen e informacionit.

Një tjetër arsye që theksohet nga portali maqedonas, është veprimtaria e biznesit të truprojës që thuhet se i ka penguar kushëririt të kryeministrit dhe shefi të Sigurimit Sekret, Sasho Mijalkov.

Urko nuk është deklaruar ende publikisht për arsyen e lirimit të tij nga detyra.

Lajme të ngjashme

Back to top button