Arbina Jaji, ylli i ri i tenisit

Shpesh herë e kemi thënë se sporti më i shtrenjtë për ta luajtur dhe stërvitur, pa dyshim se është tenisi, sidomos në vendin tonë ku duhet marrë parasysh se për shqiptarët është një sport pothuajse shumë i ri, të cilin nuk e preferojnë numër i madh i të rinjve, shkaku i problemeve financiare.

Por që dashuria ndaj tenisit kishte lindur 4 vite më parë edhe të Arbina Jaji, e cila kishte marrë sugjerimin nga prindërit që të zgjedh mes notit dhe tenisit, e që për te më joshës kishte qenë tenisi.

Arbina është e lindur në vitin 2003, ndërsa jeton dhe shkollohet në Haraçinë, prej ku i duhet të udhëtojë për çdo ditë drejt kryeqendrës, Shkupit që të zhvillojë stërvitjet dhe meçet gjatë gjithë javës. Kjo tregon se Arbina nga të gjithë anëtarët e klubit por edhe konkurrentet e saja, jep më shumë mund për të qenë një teniste e mirë. Por rezultati nuk ka munguar, pasi që vetëm një vit pasi e filloi të merret me këtë sport, filluan të radhiten edhe rezultatet.

Që nga viti 2011 Arbina është anëtare e klubit ATK në Shkup, e që deri më tani ka dhe rezultate të lakmueshme. Duke marrë parasysh se në tenis gjeneratat ndahen në bazë të kategorive, në vitin 2012 Arbina shpallet dy herë kampione republikane në kategorinë e “tenisit portokalli” dhe një garë merr vendin e dytë. Kështu ka vazhduar edhe këtë vit, duke qenë edhe më e suksesshme se viteve në vazhdim, por tani duke kaluar edhe në kategori më të lartë.

Këtë vit Arbina ka fituar katër vende të para në nivel republikan në kategorinë “tenis i gjelbër” dhe dy vende të dytë, po në kategorinë “tenis i gjelbër” në nivel republikan. Suksesi i fundit që ka shënuar Arbina është vendi i parë në nivel republikan, që është zhvilluar në Manastir në mesin e shtatorit.

Prindërit e Arbinës vazhdojnë ta përkrahin atë në maksimum dhe tani më janë para sfidave të reja, ndërsa për fillimin e angazhimit të Arbinës në tenis flet babi i saj, Shenasiu.

“Kur vajza mbushi shtatë vjet, me bashkëshorten vendosëm që Arbinën ta angazhojmë në ndonjë sport, duke marrë parasysh se çdo sport është i shëndetshëm për fëmijët. Në konsultim me bashkëshorten arritëm në përfundim që më së miri është ta regjistrojmë në not ose tenis. Por fjalën e fundit ia lamë vetë Arbinës, e ajo vendosi tenisin. Që në javët e para, trajneri Dejan Krstevski nga klubi ATK, njohu talentin e vajës. Arbina për një kohë të shkurtër filloi edhe të garoje në turnet republikane, ndërsa në turneun e dytë e fitoi vendin e parë”, tha mes tjerash Shenasiu.

Disa nga medaljet dhe diplomat e Arbinës
Disa nga medaljet dhe diplomat e Arbinës

Por prindi i Arbinës nuk fsheh se ai ka dhe detyrën më të vështirë, sepse me të përfunduar orarin e punës, duhet menjëherë ta dërgojë vajzën në stërvitje.

“Tani Arbina ka fituar shumë medalje në të gjitha kategoritë dhe vazhdon stërvitjet me shumë intensitet, duke marrë parasysh qe tani është në moshën 11 vjeçare dhe stërvitjet vetëm se shtohen.

Por problemi me i madh është se tenisi si sport është shumë i shtrenjtë. Andaj kemi shume vështirësi që financiarisht t’i mundësojmë Arbinës të stërvitet sa duhet, pasi që stërvitjet me trajner janë shumë të shtrenjta për kushtet në Maqedoni. Momentalisht nuk kemi asnjë përkujdesje as nga institucionet shtetërore, e nuk kemi as ndonjë sponsor që është shumë vështirë të gjendet. Shpresojmë se në të ardhmen do gjejmë ndonjë sponsor qe t’i mundësojmë stërvitjet e nevojshme dhe që Arbina të vazhdojë me sukseset e mëtejme”, është shprehur për “Portalb”, prindi i Arbinës, Shenasi Jaji.

Arbina Jaji me një nga medaljet e fituara
Arbina Jaji me një nga medaljet e fituara

Momentalisht Arbina trajner ka Nikolla Panovski nga klubi ATK. Ai thotë se Arbina ka potencial të madh për të arritur suksese edhe jashtë Maqedonisë, mirëpo duhen më shumë stërvitje, nga 2-3 ore çdo ditë, të cilën prindërit e saj nuk arrijnë për momentin ti sigurojnë. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button