Grumbuj mbeturinash hidhen çdo ditë në deponinë e egër jo larg Haraçinës

Deponia që shtrihet përgjatë rrugës e cila çon drejt qendrës përkujtimore të ish ushtarëve të UÇK-së, tani më një kohë të gjatë përbën rrezik për përhapjen e sëmundjeve dhe epidemive të ndryshme. Kjo deponi është vetëm pak kilometra larg qendrës së Komunës së Haraçinës, në rrugën që shpie drejt fshatrave të rrethit të Likovës, transmeton Alsat.

‘Kjo është gjendja momentale me deponinë e egër mbi komunën e Haraçinës. Kohë pas kohe kjo deponi përfshihet edhe nga zjarri me çka lirohet një erë e rëndë dhe kundërmuese e cila tani më prej vitesh po i maltreton banorët e kësaj komune’.

Kryetari i Haraçinës Brahim Ajvazi thotë se me qëllim zhdukjen e pamjeve të tilla të pahijshme deri më tani janë marrë disa masa, por që sipas tij faj kanë edhe kalimtarët të cilët në mënyrë të pakontrolluar hedhin mbeturinat aty.

“Është e vërtet se ky problem është i kamotshëm, edhe para se të vij unë problemi me deponin ka qenë aktual. Ne jemi munduar që të marrim disa masa në këtë drejtim, kemi pastruar disa herë deponinë, kemi rrethuar deponin, kemi vendosur edhe një rojtar por shihet se përsëri ky problem nuk është i zgjidhur se qytetarët edhe vendkalimi që ndodhet aty, vazhdimisht hidhen mbeturina pa kontroll”, tha Brahim Ajvazi, kryetar i Komunës së Haraçinës.

Ajvazi kërkoi ndihmë nga Ministria e Ekologjisë dhe qyteti i Shkupit. Ai thotë se ky problem shumë vjeçar mund të evitohet vetëm nëse mbeturinat e Haraçinës mblidhen nga NP Higjiena Komunale dhe dërgohen në Drisëll.

“Zgjidhje për këtë është vetëm nëse kjo deponi të merret të menaxhohet nga qyteti i Shkupit, mbeturinat të barten nga këtu në Drisëll ose diku tjetër. Ne kemi pasur konsultime edhe me kryetarin e Komunës së Likovës pasi edhe ai ka po të njëjtin problem, ne kemi tentuar që të bëjmë një projekt i përbashkët që ky problem të zgjidhet në komunat tona njëherë e përgjithmonë”, u shpreh  Brahim Ajvazi, kryetar i Komunës së Haraçinës.

Deponia e egër në dalje të Haraçinës mbledh rreth vetes edhe dhjetëra qen. Ata përveç që shpërndajnë mbeturinat përgjatë rrugës, shpesh shqetësojnë edhe kalimtarët duke iu vërsulur veturave. Pasojat e kësaj deponie vërehen sidomos gjatë ditëve të nxehta të verës, kur edhe rritet më tepër kundërmimin, por edhe shtohet rreziku për sëmundje.

Lajme të ngjashme

Back to top button