Ademi: Kemi zgjidhje për çështjen e emrave shqip të katër shkollave në Çair

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka zgjidhje për çështjen e emrave shqip të katër shkollave në Çair.

Kjo gjë pohohet nga vetë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi, në intervistën e së dielës për Radion Evropa e Lirë.

Ademi thotë se, institucioni që drejton ai, posedon zgjidhjen, porse nuk do të donte të nxitonte në zbatimin e saj, më parë se të konsultoheshin të gjithë faktorët.

Ja si e sqaron ministri Ademi maturinë e tij në këtë çështje.

“Unë nuk do të doja të nxitoja me zgjidhje që mund të sjellin reagime negative në shoqëri, dhe veçanërisht në marrëdhëniet ndëretnike. Për shkak se, ashtu siç thashë, arsimi është sferë e ndjeshme. Përse të mos konsultohemi dhe të përfshijmë të gjithë faktorët në marrjen e vendimeve dhe ai vendim të jetë i gjithë pranuar”, thotë Ademi.

Ai siguron se çdo vendim i MASH-it do të jetë në interes të nxënësve dhe nuk do të shkaktojë reagime negative, si dhe do të jetë i pranuar nga të gjitha palët e përfshira.

I pyetur në lidhje me ndryshimet ligjore, që sipas Sindikatës së Arsimit dhe Shkencës, parashohin gjetjen e zëvendësimit për arsimtarët që vendosin të hidhen në grevë, ministri thotë se këto ndryshime nuk kanë si qëllim të ndikojnë vendimin e Sindikatës për të shpallur grevë.

“Qëllimi kryesor i Ministrisë është që të mos ketë ndërprerje të procesit arsimor, sepse në të kundërt do të duhej të shkurtoheshin ditët e pushimeve. Pikërisht për këtë arsye, qëllimi kryesor i ndryshimeve është që të shmanget ndërprerja e procesit arsimor, dhe jo të pengohet greva. Greva është një e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe me ligjet në fuqi, si dhe me marrëveshjen kolektive të nënshkruar me Sindikatën e Arsimit dhe Shkencës”, shprehet ministri Ademi

Lajme të ngjashme

Back to top button