Pamja e njëjtë e këngëtareve, kopjim apo inspirim?

Ngjashmëria në pamjen e tyre duket se është vetëm ‘rastësi’ dhe për këtë gjë nuk është fajtor. Kjo dukje e njëjtë me koleget e tjera nuk është se vjen prej kërkesave të këngëtareve. Së paku kështu kanë treguar këngëtarja Dhurata Ahmetaj, Sebi që është njëra nga pronaret e sallonit të bukurisë ‘Fjolla and Sebi’ dhe kreatorja Dona Matoshi.

Shpeshherë jemi mësuar që këngëtaret dhe yjet e kinematografisë botërore t’i shohim të ngjashme në paraqitjet e tyre, qoftë në dizajnin e fustaneve apo edhe në grimin dhe flokët. Përveç yjeve botërore janë edhe këngëtaret tona ato që shumë herë duken të njëjta në pamjen e tyre. Në gjithë këtë çështje ngrihet pyetja se kjo ngjashmëri mes tyre a është kopjim apo inspirim.

E kësaj pyetje është e vështirë që t’ia definosh një përgjigje të saktë pasi që mendimet janë të ndryshme. Një kopjim apo inspirim i tillë është edhe ai këngëtares nga Shqipëria Besa Kokëdhimba, e cila duket se i ka shumë në qejf këngëtaret Leonora Jakupin dhe Dhurata Ahmetaj. Kjo pasi këngëtarja në klipin e këngës së fundit që e ka në bashkëpunim me Dr. Mic, e që quhet ‘Zejmer’, duket komplet si Dhurata dhe Leonora. Në pjesën e parë të këtij klipi, flokët e Besës duken njëjtë, ashtu siç i ka Dhurata Ahmetaj në klipin e saj ‘Ama veç pak’.

Me flokët e valëzuara dhe me gërsheta anash këngëtarja Kokëdhima nuk dallohet fare nga Dhurata. E pyetur nga gazeta Tribuna se çfarë mendimi ka për këtë gjë këngëtarja Dhurata Ahmetaj, ajo ka thënë se kjo gjë nuk është problem, sipas saj, sepse nuk është se ky stil i flokëve është krijuar nga ajo. “Nuk mund të them asgjë për këtë çështje, sepse këtë stil nuk e kam krijuar unë, por edhe nëse e ka bërë, kjo gjë nuk është problem sepse ndonëse pamja është e njëjtë ne të dyja e interpretojmë në mënyra të ndryshme”, ka theksuar Ahmetaj.

Madje, Dhurata ka thënë se nëse ajo krijon një stil dhe dikush tjetër e kopjon, ajo nuk do të ndjehej fare e ofenduar. Mirëpo, këngëtarja Besa nuk ndaloi me kaq. Ajo edhe në pjesën e dytë të klipit ka vazhduar që të ketë pamje të njëjtë me atë të këngëtareve të skenës muzikore shqipe. E kësaj here, Besa është dukur si këngëtarja Leonora Jakupi në këngën e saj, ‘Ma ngat’.

Ajo kishte kapur flokët në maje të kokës ashtu siç kishte bërë edhe këngëtarja Jakupi. Gazeta Tribuna ka provuar që të kontaktojë me këngëtaren Jakupi për ta pyetur rreth kësaj çështje, por kjo gjë ka qenë e pamundur. I pa mundur po ashtu ishte edhe kontaktimi me këngëtaren Besa.

Këngëtaret nuk kërkojnë të duken njëjtë

Pamja e njëjtë e këngëtareve duket se është vetëm ‘rastësi’, sepse ato asnjëherë nuk kanë kërkuar që të duken të ngjashme, qoftë me këngëtaret nga Kosova qoftë nga yjet botërore. Kështu së paku ka treguar për gazetën Tribuna, Sebi, që është njëra ndër krijueset e sallonit të ondulimit ‘Fjolla and Sebi’.

Ajo ka theksuar se këngëtaret shpeshherë vijnë me ide të tyre dhe asnjëra nga to nuk kërkon që të duket si dikush tjetër. “Kërkesat janë nga këngëtaret për mënyrën se si duan të duken, ato gjithmonë vijnë me idetë e tyre dhe asnjëherë nuk kanë kërkuar që të duken si ndonjë artiste nga Kosova apo me gjerë”, ka thënë Sebi. Për këtë gjë ka folur edhe kreatorja, Dona Matoshi, e cila gjithashtu ka theksuar faktin që këngëtaret nuk kërkojnë kurrë që të duken si dikush tjetër.

“Jo, këngëtaret nuk kanë kërkuar asnjëherë që të duken ngjashëm me dikë tjetër. Unë nganjëherë i sugjeroj që të vishen me ndonjë ngjyrë që i përshtatet zezonës, po kurrë nuk u propozoj që të jenë ngjashëm më ndonjë nga këngëtaret apo artistet tjera”, ka thënë kreatorja. Madje, ajo ka theksuar se këngëtaret gjithmonë kërkojnë që të duken seksi kurse sugjerimet e saj janë që ato të vijnë edhe me stile të tjera të veshjeve./Tribuna/

Lajme të ngjashme

Back to top button