KUR “I MENÇMI RRSHET PËR TERMA”

“Gjithë njerëzit rrshesin për teposhtë, i mençmi . rrshet për terma…” E nisa këtë reagim me këtë thënie të bukur popullore që e kam dëgjuar nga i ndjeri daja im, Nazmiu, nga Brodeci, te i cili ishin të ngërthyera të gjitha tiparet e një malësori të moçëm. Sa e sa herë jam munduar ta zbërthej temsilen (alegorinë) e saj e ta vë në ndonjë nga shkrimet e mia, po nuk i erdhi radha askund. Ja si e zuri vendin sot, kur lexova shkrimin e kolumnistit të shquar Xh. Ahmeti, në gazetën “Koha”, me titull “Të zgjohemi”. Sa me andje mora ta lexoj, ashtu si shumë të tjerë edhe në “Portalb”, se më kanë pëlqyer jashtëmase, jo vetëm për temat që trajton, po edhe për stilin e rrjedhshëm të një shkrimtari të vërtetë.

Gjithsesi që më ka tërhequr edhe emri i tij si shok klase që e kam pasur dikur në shkollë të mesme të Normales e ku dallohej nga të gjithë ne. Por, ç’e do. Që në rreshtat e parë më bëri të dëshprohem e të ndalem së lexuari. Si lexova shprehjen “Pas shpartallimit të Jugosllavisë dhe themelimit të shteteve të reja ballkanike, pas rënies së diktaturës gjakpirëse komuniste në Shqipëri…”, diçka m’u lidh në fyt. U shtanga nga ky kualifikim kaq i rëndë për një periudhë të lavdishme të historisë së asaj copë Shqipërie të mbetur, dhe thashë me vete: Xhabiri të mendojë kështu?!!! Çdo një tjetër ta kishte thënë, siç e ka thënë shumëkush, nuk do më befasonte, po Xhabiri? Ky njeri i penës së mprehtë, që nuk ka lënë temë pa trajtuar e plagë pa prekur, të mendojë kështu? E pa mundur! Po ja që edhe ky qenka tjetërsuar!

Mos vallë don të hyjë në politikë tash kur ka shkelur në të 70-at? Se pa e sharë e kritikuar atë sistem, atë regjim të “egër”, nuk ka mundur e as mundet njeri ta bëjë këtë. Ç’ju desh ta thotë këtë fjalë plumb? Si nuk iu dha ta thosh vetëm pak më lartë për Jugosllavinë gjakpirëse, e do pëlqehej nga çdo shqiptar me mend në kokë, po e tha për Shqipërinë? Kjo me siguri do ta iritojë shumëkë, jo vetëm mua. Ja, këtu e zuri vendin me tamam ajo thënia popullore e dajës tim, se deri në këtë moment Xhabirin e konsideroja si të mençur, në bazë të shkrimeve që ia kam lexuar.

E tash po të kthehem ty, o Xhabir Ahmeti, shoku im i dikurshëm i klasës! Pse, or i uruar, “rrshite për terma”? Ti që pretendon të “ndreqësh dynjanë” rrëshqite vërtet dhe e keqja është se nuk ke ku e si të mbahesh, se këmbët vend nuk të zënë. Si e quan gjakpirëse një diktaturë proletariati që e nxori atë copë Shqipëri nga errësira në dritë, nga hiçi në diç, nga e paqëna në të qënë, nga balta në rrugë të thatë, nga këneta në fushë pjellore, nga bishtuku në tri hidroçentrale ndër më të mëdhenjtë e Europës, nga gjyrykët e farkës në kombinate metalurgjike si ai i Elbasanit me 12 oxhaqe, nga tezgjahet primitivë në fabrika moderne tekstile, nga parmenda e drurit në traktorë me 5-6 plugje, nga tokat kërre në ato të bonifikuara, nga bregore të shkreta në brezare e teraca të mbjella me pemë frutore, nga asnjë pëllëmbë hekurudhë në mijëra km. anembanë vendit, nga kasollet me kashtë e rrasa në pallate moderne, nga hajmalitë e hoxhallarëve e priftërinjëve në spitale bashkëkohore, nga kasollet me gardhiqe ku mësonin fëmijët në fillim, pas luftës e fitores mbi fashizmin, në Universitete, nga barkat me vela në anije e tragete tejoqeanike, nga një ushtri heroike, të paarmatosur, të mbetur nga lufta, në një armatë me armatim modern deri në raketa, nga pushkët me gjalmë në armët gjithëfarëshe, të vendosura në depotë e pafund nëntokësorë? Po bunkerët që ishin një mrekulli e 8 e botës? E të tjera, e të tjera, e të tjera!

Të gjitha këto i ke parë edhe ti, i nderuar Xhabir, në mos në vend, në filmat dokumentarë me siguri po, që jepen tash e dy vjet në kanalin Tring Shqip nga ora 3 e mëngjesit deri në 8, aty ku jepen edhe filmat artistikë të asaj kohe. Dhe kamera e filmit dokumentar është sy i zgjatur i secilit që don të sheh. Nuk mund të jetë ndryshe. As nuk mund të rregullohet, siç ndodh me atë artistik. Por, daullet bien për ata që kanë veshë. Kjo ishte e para që desha të të them.

E dyta: kush je ti, mor zotni, të japësh një kualifikim të tillë kaq të rëndë? Ti je një shkrimtar, po nuk je Akademi e Shkencave, siç kanë pretenduar e pretendojnë shumë të tjerë si ti, me një fjalë goje të fshijnë një periudhë historike 50 vjeçare e ta quajnë gjakpirëse. Pse gjakpirëse? A pse u arritën, për 40 vjet, të gjitha ato që t’i thashë më lart? Jo gjakpirëse, po ajo ka qenë një diktaturë lëvizëse që e bëri tërë një popull ta heqë nga qafa jo vetëm robërinë fashiste e ta rreshtojë atë copë Shqipëri në radhët e fituesve antifashistë, po edhe ndryshkun e shtresuar me shekuj nga robëria e gjatë. Bëri që njeriu shqiptar, kur të dilte jashtë kufirit, të mos kontrollohej nga doganierët vetëm pse shihnin që kishte pasaportë të Shtetit shqiptar. Dhe, besoj, kjo ka qenë unikat në botë. Bëri që edhe romët, të diskriminuar në tërë globin, të flasin gjuhën letrare shqipe më mirë se unë e ti që kemi kryer fakultet të letërsisë. Apo jo, Xhabir Ahmeti? Kësaj radhe kaq. Pres reagimin tend që me siguri nuk do të rrish pa e bë.

Me nderime, Hamdi ISLAMI, Tetovë.

Lajme të ngjashme

Back to top button