fbpx

Çka përgatitet?

Duke shëtitur natyrës, gjeniu Ajnshtajn mbërrini gjer te një lum mbi të cilin varej një urë e ngushtë e improvizuar. Shkencëtari famoz u ngjit në te duke mos parë se edhe nga ana tjetër ngjitej një person i trashë. Kur në mes u takuan i trashi bërtiti – “Budallenjve asnjëherë nuk ua lëshoj rrugën”. Ajnshtajni u pat kthyer në breg dhe pasi njeriu kaloi, ai shtoi– “Unë ua lëshoj”. Por, kur pati menduar më thellë, ai u pat bindur se i trashi ishte në përparësi, jo nga ajo që ai i pari kishte kaluar urën, por nga logjika se sikur të marrëve t’ua lëshojmë të gjitha rrugët, ne kah do të kalojmë?!

Neve me vite na janë zënë të gjitha rrugët, të gjitha urat, parqet, shtëpitë, por edhe jeta. Të “trashët” kanë okupuar institucionet, gjykatat, mediumet, xhepat tonë, ardhmërinë dhe shpirtat tonë. Dhe gjithçka kanë shkretuar. Tani dinjitetin kolektiv e kemi nën zero. Krijuan shoqëri të kriminalizuar, shkatërruan ekonominë, na futën në borxhe gjer në fyt, kolabuan buxhetin. Shkaktuan mjerim e varfëri të paparë. Nxitën urrejtje ndëretnike e ndër-fetare. Shkaktuan ekzodus marramendës duke shprazur shkollat. Krijuan gjykës që as vet nuk meritojnë të jenë në liri. Kurse ne vazhdojmë t’ua lëshojmë rrugën atyre, sepse janë të “trashë”, të pavetëdijshëm se ne jemi të tillë.

Por, rregjimi u pengua në dimenzionin ndërkombëtar. Vite me radhë Gruevski mashtronte të jashtmit se problemin e “nxehtë” me emrin do ta zgjidhë, a në fakt këtë problem ai vet e nxiste me qëllim që sa më lehtë të sundoj dhe t’i eliminoj proceset integruese. Gjer në vitin 2006 emri aspak s’ishtë pengesë për integrimet. Brukseli si duket i pat besuar, andaj mbylli sytë për shumë katastrofa që pasuan. Tani janë habitur se si ndodhi që  të ndërtohet këso diktature serioze në zemër të Ballkanit, e cila rrezikon paqen dhe sigurinë brenda dhe rajon. Fituan një diktator të vogël siç preferojnë ta quajnë, por me rreziqe të mëdha. Këso diktature e vogël e Gruevskit është fatkeqësi e madhe për shumë njerëz.

Kaloj samiti i NATO-s, por edhe afati i përdorimit të deklaratës së Ahmetit për krizë qeveritare. Në fakt edhe më parë kemi dëgjuar diç të ngjashme, andaj këto askush më nuk i trajton si serioze. Samiti i Vellsit shtetin e ktheu dhjeta vite pas. Fituam edhe katër kushte të mëdha dhe qindëra të vogla. Kërkohet dialog efektiv, liria e mediave, gjyqësi të pavarur dhe jetësim të tërësishëm të Marrëveshjes së Ohrit në “germë e frymë”. Kurse bisedimet për emrin “të kryhen sa më shpejtë”. Pra, lypin që lotët të zëvendësohen me djersë, pasi lotët ndoshta në moment prodhojnë keqardhje, por vetëm djersët japin rezultate. Gruevski nuk lypte mënyra për zgjidhje të problemeve, por lypte arsye se përse nuk i zgjidhë. Tani konkluzat e fuqishme të Aleancës gëlltitën trikat e dobëta diplomatike të pushtetit. Kësaj radhe Gruevski heshti për “kurrizin e lakuar”. Madje edhe bishtin e mblodhi. Asnjë fjalë për “Evropën joparimore, e cila kërkon lakim të kurrizit”. Arsyet nga ky ndryshim radikal i politikës së Aleancës ndaj Maqedonisë janë të shumëfishta, kurse tri më kryesoret. E para, frika se një nacionalizëm dhe populizëm i tillë do të sjellë gjer në konflikt të brendshëm dhe rajonal. E dyta, Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij do të duhet të paguajnë çmimin e diktaturës, përndryshe ajo do të jetë sinjal për pretendentë tjerë rajonal të diktaturave, se s’ka pengesa që edhe ata ta bëjnë të njëjtën. E treta, është flirtimi joparimor me Rusinë mu tani kur ushtrohet konflikt ushtarak në zemër të Evropës. Shtesë fakti se ne nuk kemi kryetar shteti, por një hije të Gruevskit.

Të huajt tani sikur janë të bindur se VMRO dhe BDI nuk duan proceset integrues, pasi çdo normalizim i jetës politike këtu, shumëkush nga bartësit e funksioneve publike mund fare lehtë të përfundojnë në gjyq. Çështjen e emrit e kanë vetëm si pretekst apo mbulesë. Të jashtmit tani më e kanë kuptuar se në këte shtet është lumturi të jesh përmendore, por fatkeqësi të jesh njeri. Çdo shtet ka përmendoret e veta kurse këtu përmendoret kanë shtetin e vet. Erdhi koha kur faraonët do të duhet të varrosen në piramidat e tyre. Afër e kanë fundin ata që thonin se do të na ndërtojnë ardhmëri të ndritshme me ndihmën e forcave të errëta të nëntokës. Duhet të kuptojmë se rrugët e ndërtuara pa Zotin çojnë drejtë në ferr. Por, e gjithë kjo ka edhe dimensionin psikologjik. Mirë e tha një vajzë – “Doja të pyes se si një premier me shpirt të sëmurë nga shpifja e ofendimi, përsëri do mund të jetë premier. Si është e mundur që njerëz të sëmurë të udhëheqin me shtetin”?! Këso premieri nuk mund të qëndrojë në pushtet as 24 orë pa përkrahjen e Shqiptarëve. Për çka e përkrahim, përkundër nënçmimeve e poshtërimeve që na i bënë, një Zot e di!

Tags

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. z,Mersel Bilalli e nenshkruajte Letren per perkrahje te pa kusht BDI-se, nuk e dime a i analizuat veprimet deri ne zgjedhjet apo bete ndonje sallto si ne ANALIZAT e 1997(shperblim)????????

Back to top button
Close