Kur “mbaron” liria

Shkruan: Dionis Xhafa, Tiranë

Në vitet 1988-1991, në të gjitha vendet e Evropës Lindore, u prezantua një ideologji e re, ajo e lirisë së mendimit. Në këto kohë, mund të thuhet se objektivi kryesor, i një njeriu “pa pranga mendimi” u arrit. Tashmë çdokush mund të mendonte lirisht, pa frikën se mund të dënohej apo burgosej nga fjala që thoshte apo ideologjia që kishte në kokë. Njëjtë, kjo ideologji më vonë u përhap edhe në Shqipëri, në Maqedoni dhe më tej edhe në Kosovë. Kryesorja – liria arriti të triumfojë, përmes thirrjeve “Liri, demokraci” apo të tjera si këto. Menjëherë, pas depërtimit të ideologjisë së lirisë, përpara dolën një sërë problematikash, të cilat sigurisht kishin nevojë për ideologji më të thella dhe më reformuese, për të çuar shoqërinë drejt zgjidhjeve të halleve të tyre. Përpara tanimë shtrohej problemi i pabarazisë, varfërisë, migrimit dhe emigrimit, kapja e shtetit nga ata që e sollën lirinë dhe demokracinë e probleme të tjera të ngjashme. Sfida që ende sot është e paarritshme, është ajo, se klasa politike është sunduese ndaj popullit “të papushtet”. Ndërsa, në të gjithë Evropën Perëndimore, shoqëritë civile po marrin gjithnjë e më tepër rëndësi, në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni, që janë vende me demokraci të brishtë shoqëria civile shpesh as që ndihet, por edhe kur i dëgjohet zëri, nuk është zëri i vërtetë qytetar, por zëri i çjerrur i shoqërisë civile të kapur nga politika. Politika e fortë dhe autoritare gjithnjë ka ardhur një moment që është bërë e padurueshme për njerëzit një sistem që edhe mund të zgjasë në kohë, por që kur bie, rrëzohet në mënyrën më të keqe të mundshme.

I)      Kosova – Pas 6 vitesh shtet, në Kosovë kemi një betejë të fortë politike mes dy kampeve, nga njëra anë është koalicioni LDK-AAK-NISMA, së bashku me Vetëvendosjen (VLAN) dhe nga ana tjetër PDK-ja e Hashim Thaçit. Të dyja polet politike po përplasen me njëra-tjetrën më shumë për pushtet sesa për interesat e njërëzve. Dikush mund të dyshoj se koalicioni VLAN mund të jetë më i pastër, por se nga LDK-AAK-NISMA ka patur zyrtarë të lartë të cilët kanë luajtur me pushtetin si kanë dashur dhe e kanë dëshmuar se për njerëzit nuk bëjnë sa duhet. Nisur nga kjo përplasje e ashpër për pushtet, Kosova ka tre muaj pas zgjedhjeve që nuk po ngre dot institucionet e shtetit në këmbë, kemi një klasë politike krejt të shkëputur nga populli dhe se nga këto të fundit arrin të mbijetojnë vetëm ata që kanë lidhje me politikën ose kanë emigruar jashtë Kosovës. Po në Kosovë partitë politike nuk kuptohet nëse kanë ideologji të majtë apo të djathtë. Kemi një PDK, e cila sillet sikur të jetë e majtë e realisht zbaton politika të djathta dhe partitë e tjera pak a shumë kanë probleme të thella në zbatimin e ideologjive. Ajo që duket se i bashkon është vetëm objektivi për të kapur shtetin. Nga kjo pikëpamje, politikën më të ashpër sot në trevat ku jetojnë shqiptarët, e ka Kosova e deri diku ky shtet është “kriminal” kundrejt personave të papushtet, për shkak se i lë të papunë, të mjerë dhe jashtë kujdesit të shtetit. Ajo që e shpëton Kosovën dhe konsiderohet se në të ka “demokraci” janë vetëm institucionet e huaja, të tilla si EULEX-i, etj, të cilat kanë dërguar nëpër gjykata politikanët e korruptuar ose ata të cilët dyshohen për krime lufte. Në rast se do mungonin institucionet e huaja në Kosovë, nuk do të kishte demokraci, për shkakun e thjeshtë, se politikanët kanë qenë dikur pjesë e UÇK-së dhe e shfrytëzojnë këtë “mitizim” për pushtet personal. Gabimi më i madh që bëhet në Kosovë është se njerëzit iu japin deri pushtet të pakufizuar personat që luftuan, e të cilët sot kanë në dorë shtetin dhe pushtetin, të cilin në jo pak raste e shfrytëzojnë për interesa personale.

II)  Maqedonia – Shqiptarët e Maqedonisë, sikundër edhe ata të Kosovës, e zhvilluan luftën për liri dhe për të drejta në vitin 2001, përmes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Nga kjo luftë u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, që përcaktonte të drejta për shqiptarët dhe lindi edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, me në krye Ali Ahmetin, parti e cila më së shumti ka qenë në pushtet me kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevskin. Paçka përpjekjeve të saj, marrëveshja kornizë e Ohrit nuk ka gjetur zbatimin e duhur dhe nga ana tjetër edhe populli është i indinjuar me të drejtë në masë. Në vitin 2001, kur dhe u zhvillua lufta, pati një padrejtësi të madhe. UÇK-ja e vërtetë, ushtarët e saj u burgosën dhe u quajtën si persona që kërkonin “destabilizimin” e shtetit, ndërsa komandantët ose ata që përpiluan platformën politike të saj sot janë në pushtet, jo pa dredhi. Kemi një realitet, ku maqedonasit më së shumti kryejnë punë shtetërore, ndërsa shqiptarët rrapatën në punë bujqësie dhe dërgojnë djemtë në emigrim. Qytetet e banuara kryesisht nga shqiptarët, që nga Dibra, Gostivari, Kumanova e gjer në Shkupin e banuar nga shqiptarët, janë vende të rrënuara, të dëmtuara dhe të lëna në prapambetje thuajse totale, si pasojë e një politike aspak të njëtrajteshme në të gjitha zonat. Ata që përfitojnë janë vetëm njerëzit e lidhur ngushtë me interesa politike dhe nuk ka thuajse fare shoqëri civile, e cila edhe në është, më tepër ekziston si e kapur nga politika. Nga ana tjetër, Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit nuk është se ka një alternativë më të mirë, e për mendimin tim është tepër larg një ideologjie që vërtetë qëndron e ka nevojë për një reformim të thellë që të kthehet tek “shkolla politike” e Arbën Xhaferit.

III) Shqipëria. – Shteti shqiptar ka një përvojë më të madhe të të qënit shtet, 100 vjet të tilla, ndryshe nga Maqedonia dhe nga Kosova. Megjithatë, në këto 100 vite, ka përjetuar sistemin politik më të egër në të gjithë Evropën për gati 50 vjet, një komunizëm stalinist, që s’kish shembull në të gjithë kontinentin. Edhe 20 vitet e demokracisë, në fakt ishin një gënjeshtër e madhe, për shkak se në krye të saj u vunë antikomunistët komunistë dhe ishte një sistem i degjeneruar “demokratik” me korrupsion, me shtet të kapur dhe me autokraci. Shqiptarët e Shqipërisë, ndryshe nga se ndodhi me shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë, patën një të “mirë”, se nuk u përfshinë në luftërat e fundviteve 90-ta, e kjo solli edhe një të mirë, eleminimin e nacionalizmit, i cili ekziston ende tek shqiptarët jashtë Shqipërisë. Sot, në pushtet është e majta me Edi Ramën. Shteti shqiptar provoi se çdo të thotë të gënjehesh për 23vjet me rradhë dhe duket se më në fund po duket se po bëhet shtet. Më në fund po “lind” shteti, pasi ka patur emigrim, tranzicion, papunësi, migrim në masë, varfëri, depresion etj. Po shteti shqiptar provoi çdo të thotë të gënjehesh nga antikomunistët komunistë, që fe dhe perëndi kanë vetëm pushtetin dhe jo të mirat dhe të drejtat e njerëzve. Nga pikëpamja demokratike, ngjan se ka më tepër liri me Ramën dhe nuk ka aq “hije autokracie”. Por problem, madje shumë i madh mbetet papunësia në masë, varfëria, skamja, të cilat s’po shqiten ndër shqiptarë, por edhe mungesa e një zëri të mirfilltë qytetar dhe kemi një qeveri që bën më tepër se ç’duhet propagandë.

Ideologjia që vazhdon, ajo përtej lirisë, por e një barazie të mundshme, e heqjes së pabarazisë së skajshme, ajo e një politike që mbështet njerëzit dhe jo politikën, duket se mungon. Pyetja që shtrohet tek ne është: Kur ideologjia e drejtë do të vihet në vend?

Lajme të ngjashme

Back to top button