Stilistja e Nicki Minaj do të veshë Elvana Gjatën

Sapo është kthyer nga java e modës në New York. E gjetëm shumë të impenjuar, por mes gjithë asaj pune të madhe ku fokusohen të gjithë sytë e etur për modë, Ekaterina Kukhareva gjeti kohë edhe për “Shekullin”, që e ka zbuluar praninë e artit të saj nëpërmjet videoklipit të fundit të realizuar nga Besa. Bëhet fjalë për videoklipin e këngës “Arabia” të Besa Kokëdhimës. Veshja me ngjyra të ëmbla, të purpurt, rozë dhe shumë verore është e dizenjuar nga Ekaterina Kukhareva. Ajo ka dizenjuar për emra të mëdhenj të njohur në botën muzikore, por ajo çka na çuditi nga e gjithë intervista me të ishte edhe dëshira për të bashkëpunuar edhe me këngëtare të tjera të skenës sonë. Emra si Nicki Minaj apo Charlotte Ross në këtë intervistë renditen përkrah divave tona Elvana Gjata dhe Besa Kokëdhima.

Ju keni punuar me emra shumë të njohur të spektaklit dhe show bizit në botë, përfshirë këtu Brandy-n, Nicki Minaj-in dhe Charlotte Ross. Si është të punosh me emra kaq të njohur? 

Është një ndjesi shumë e madhe dhe një nder gjithashtu që emra të njohur të ekranit në të gjithë botën të zgjedhin të punojnë me mua. Dhe për mua kjo do të thotë shumë. Të punosh me artistë të tillë që janë të njohur edhe për idetë e tyre të jashtëzakonshme, pra që kanë një mendje të pasur me ide është shumë e dobishme nga ana artistike edhe për mua. Sepse në të njëjtën kohë frymëzohem gjithnjë e më shumë. Kjo do të thotë që ne i përkasim të njëjtës faqe të artit dhe jemi në gjendje të ofrojmë dhe të komunikojmë me anë të punës nëpër të njëjtin medium artistik.

Ju keni dizenjuar veshje për njerëz të famshëm dhe të apasionuarit pas modës në të gjithë botën. Ne zbulojmë sot se ju keni dizenjuar diçka të ndritur edhe për një këngëtare shqiptare, për Besën. A keni në mendje ndonjë bashkëpunim tjetër me artistë shqiptarë? 

Po, kam bashkëpunuar me Besën për videoklipin e saj të fundit “Arabia” dhe mendoj se Besa dukej me të vërtetë mahnitëse. Kam parë edhe videoklipet e tjera të Besës dhe veshjet që ajo kishte zgjedhur edhe në videot e saj muzikore ishin të mahnitshme. Jam prezantuar edhe më një këngëtare tjetër shumë të mirë të botës muzikore shqiptare, Elvana Gjatën dhe mund të them se do të dëshiroja që të bashkëpunoja me të në të ardhmen.

Si nisi bashkëpunimi juaj me Besën? Dhe si ishte të punoje me të? Shumë persona thonë se Besa është e vështirë dhe kërkuese… 

Të punoje me Besën ishte me të vërtetë e lehtë,e thjeshtë. Ajo më thirri dhe më tregoi planet e saj. Kishte ide të qarta në kokë. Më shpjegoi se si donte që të dukej në klipin e saj të fundit dhe pak a shumë më shpjegoi çfarë kërkonte nga unë. Puna ime ishte që t’i ofroja asaj sa më shumë opsione që të ishte e mundur Brenda të gjitha kuadrove që ajo kërkonte. Deh më besoni që ishte shumë e thjeshtë të punoje me të, pasi ajo e dinte se çfarë kërkonte. Ndoshta edhe fakti që ne ishim në një linjë veprimi artistikisht e bëri punën edhe më të thjeshtë. Nëse e kupton artistin dhe e di se çfarë kërkon ai apo ajo nga ti, stilisti është gjithnjë në gjendje të ofrojë për të pikërisht atë që ai apo ajo dëshiron.

Trikotazh, pambuk dhe mëndafsh… Pse këto zgjedhje për veshjet e dizenjuara nga ju? 

Unë jam një projektuese, dizenjuese e tekstilit, të paktën për këtë jam e njohur (qesh), kështu që këto janë materialet bazë që unë përdor për krijimet e mia, në përgjithësi. Të gjitha krijimet e dizenjuara nga unë janë bërë duke përdorur fije italiane dhe janë të një materiali të cilësisë shumë të mirë, kjo është ajo që më së shumti më karakterizon.

Cila është ngjyra juaj e preferuar? Ajo që ju do të donit ta përcillnit në çdo veshje, pavarësisht tendencave? 

Kjo është një pyetje e ndërlikuar. Unë i dashuroj të gjitha ngjyrat. Dhe kjo është AND-ja e markës sime. Por, nësë dot ë më duhet të zgjedh një ngjyrë do të zgjidhja atë që kam përdorur për realizimin e markës sime, nënshkrimit tim “Ekaterina Kukhareva”, e cila shoqëron çdo veshje. Është një nuancë shumë e bukur e ngjyrës blu. Quhet Cyan Blue.

Çfarë duhet të jetë një bizhuteri për një femër? 

Stolia, bizhuteria është nevojë e çdo gruaje. Disa njerëz përdorin aksesorë për ta bërë imazhin e tyre të duket më i plotë, por unë personalisht mendoj se çdo pjesë e bizhuterisë që një femër vendos të ketë në trupin e saj duhet të jetë e veçantë dhe të ketë një histori për të rrëfyer, diçka të karakterit të femrës që e mban për të simbolizuar. Madje edhe situata se si gjendet në trupin e një femre është një histori më vete. Çdo stoli duhet të simbolizojë diçka, të të kujtojë se cili ta ka dhuruar, si e ke blerë. Sepse vetëm kështu asnjë femër nuk do të donte të ndahej nga bizhuteria dhe bizhuteria do të rrinte bukur në të.

Ikona e modës 

Kur e pyesim Ekaterinën për një ikonë mode të cilën ajo e ka si muzë të punës së saj, ajo na thotë: “Brigette Bardot do të jetë gjithmonë në kokën time kur dizenjoj. Unë mendoj se epoka e saj ka qenë një epokë shumë frymëzuese për të gjithë stilistët, me siguri frymëzim edhe në botën e muzikës dhe në mënyrën e të jetuarit”.

Java e modës 

Këtë javë ajo ka qenë në New York. Disa herë ka menduar se është shumë e vështirë dhe shpeshherë ka dëshiruar që të ketë katër duar për të qenë në gjendje të menaxhojë çdo gjë. “Sigurisht që është dashur shumë punë për të mbërritur këtu ku jam tani, por të gjitha përpjekjet kanë vlerën e tyre. Ia ka vlejtur”, tha ajo.

Stili Kukhareva 

Ekaterina Kukhareva është e njohur gjithashtu për stolitë e saj të punuara me dorë. Aksesorët e saj konsideron si më luksozet të punuara me dorë në Angli. Një tjetër punë dore shumë e vlerësuar është edhe dantellë e thurur. Kukhareva thur me grep, por duke e ndërthurur bukur këtë punim edhe me qepje të realizuara me makinë. Prodhimi i pëlhurave të veçantë të thurur e bëri atë shumë shpejt të njohur në të gjithë Anglinë.

Projektet

Hapi i saj i radhës është të pushtojë edhe tregun amerikan. Këtë javë ajo ka qenë në shtetin më të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, New York dhe ka shprehur ambicien për të qenë një pjesë e rëndësishme e këtij tregu. Edhe pse Europa është qendra e botës së modës, për të duket se edhe kontinenti amerikan është tërheqës. Materialet e saj të veçanta kanë tërhequr vëmendje në javën e modës në New York, ndaj edhe ajo mendon se tregu amerikan mund të jetë një pistë e re veprimi. (Shekulli)

Lajme të ngjashme

Back to top button