Çokollata (Chocolat)

Herë pas herë fryjnë erëra që të bëjnë të zhvendosesh, të vizitosh vende e të takosh njerëz e miq të pazbuluar ende. Ashtu ishte edhe era e veriut që fryu në dimrin e vitit 1959, kur Vianne Rocher (Juliette Binoche) me vajzën e saj Anouk (Victoire Thivisol) u vendos në Landsknecht, një qytezë e bukur në Francë. Atje, ajo hapi një ëmbëltore në afërsi të kishës. Vërtetë ishte një çokollateri e shquar dhe e pashoq: ajo me mjeshtri zbulonte shijet dhe lakmitë e fshehura të secilit dhe përshtaste recetat e saja të rafinuar për të plotësuar dëshirën e çdokujt. Shumë fshatarë ju dorëzuan shpejt ëmbëlsirave të shijshme të cilat u shndërruan në tundim të papërmbajtshëm për qytezën.

Kjo gjë i pengonte shtresës së lartë puritane të qytezës e sidomos kontit de Reynaud (Alfred Molina), ata i tërboi fakti që banorët e qytezës u magjepsën nga çokollatat e Vianne. Nga frika se ëmbëlsirat do t’i çonin njerëzit në mëkat dhe plogështi, konti kundërshton fuqishëm ëmbëltoren e Vianne dhe me qëllim që të shkaktojë falimentimin e saj, ua ndalon banorëve të shkojnë atje. Por tundimi nuk është i lehtë as për vet kontin. Në ndërkohë çokollaterisë i vjen në ndihmë Roux (Johnny Depp), një tjetër ardhacak, që njëkohësisht shënon edhe fillimin e një romance.

Filmi është nga viti 2000, trajton tundimet njerëzore, dashurinë, fenë dhe dallimet mes njerëzve dhe si i tillë mbetet aktual në çdo kohë. Ka mesazhe dashamirëse dhe është i lehtë dhe argëtues, i përshtatshëm për të gjithë spektatorët. Interpretimi i aktorëve është fantastik. Jemi të sigurt qe do t’ju pëlqej dhe do të kënaqeni.

Lajme të ngjashme

Back to top button