Prokuroria heton rastin e shpalljes së Republikës së Iliridës

Prokuroria publike e heton rastin e shpalljes së Republikës së Iliridës nga ana e Nevzat Halilit ditën e enjte. Nga prokuroria për Portalb thonë se për rastin në fjalë do të merren të gjitha materialet e nevojshme për tu vërtetuar a ka shkelje të Kushtetutës.

“Duhet të analizohet kush çfarë ka thënë dhe çfarë është folur. Gjithashtu, duhet të mblidhen të gjitha materialet e duhura me qëllim që të vërtetohet a ka elemente për përgjegjësi penale dhe të vendoset për ngritjen eventuale të padisë penale” thotë për Portalb zëdhënësja e Prokurorisë, Elizabeta Nedanovska.

Të enjten mes terjash, Halili tha se kërkon ndryshim të sistemit të strukturimit të Maqedonisë, por duke mos kërkuar ndryshim të kufijve.

Ekspertët: Mund të ketë bazë për padi penale

Profesoresha e së drejtës ndërkombëtare, Mirjana Najcevska për Portalb thotë se kjo tentativë parimisht shihet si provokim ndaj qytetarëve të tjerë të Maqedonisë ndërsa duhet të kontrollohen mire elementet e shkruara dhe ata të thëna për ta vërtetuar anti-kushtetutshmërinë e iniciativës.

“Maqedonia është e definuar si shtet unitar, pavarësisht asaj a do të kërkoj dikush ndryshim të kufijve ose diçka të ngjashme, thirrja për Iliridë është kërkesë për ndryshime thelbësore të strukturimit të shtetit. Megjithatë, ajo që është më me rëndësi është fakti që kjo thuhet në një mënyrë që ndoshta nxit emocione negative kundrejt etniteteve tjera. Ndërkaq për jo-seriozitetin e saj mbase nuk shihet si e rrezikshme nga banorë e Maqedonisë. Por nga ana tjetër, asnjëherë nuk dihet nëse personat e tillë në ndonjë kohë të caktuar a dop të mund të mbledhin më shumë persona për ta prishur sistemin.

Sipas ligjit, për ndryshime Kushtetuese nga subjekte që janë jashtë parlamentit duhen një peticion ku do të mblidhen 150 mijë nënshkrime.

Eksperti Juridik, Osman Kadriu, thotë për Portalb se në aspektin ligjor dhe ndjekjes së akteve normative, shpallja e “Iliridës”, si akt i tillë nuk është i rregulluar me ligj. Aktet e shpalljes së autonomive brenda një shteti të caktuar nënkupton një situatë e cila paraprakisht duhet të rregullohet me kushtetutë.

“Kushtetuta aktuale nuk e lejon këtë, prandaj për akte të tilla së pari duhet të ndryshohet kushtetuta”, thotë Osman Kadriu.

Ai rikujtojn se partitë politike shqiptare pas konfliktit të vitit 2001 në Marrëveshjen e Ohrit, janë prononcuar dhe kanë rënë dakord me këtë marrëveshje se Maqedonia duhet të zhvillohet si një shtet me regjim unitar që nënkupton rruajtjen e integritetit territorial, pa mundësi ndarje.

Sa do t’ia arrijë Halili?

Përpos se të “dekorohet” me ndjekje penale, Nevzat Halili nuk do të mund të arrijë ta krijojë “Iliridën” thonë më tej Najçevska dhe Osmani.

“Siç është vepruar tani me shpalljen e “Iliridës”, është e pamundur të bëhet diçka me sukses pa marrë në konsideratë aktet konkrete për referendum” shprehet Osmani.

“Iniciativa duket tejet jo-serioze. Ai nuk arriti të merr nënshkrime të mjaftueshëm për të hyrë në Parlament e ku për një referendum” thotë Najçevska.

VMRO dhe LSDM dolën me reaksion, BDI dhe PDSH nuk komentojnë

Partitë maqedonase VMRO DPMNE dhe LSDM reaguan ndaj aktit të Halilit duke e quajtur atë akt për cënim të sovranitetit.

Nga BDI vetëm shefi i kabinetit të Ali Ahmetiti ka shpreh qëndrim në lidhje me Ilridiën dhe atë në Facebook.

LEXO: Ja se si e komenton Artan Grubi, krijimin e Iliridës

“Reagim qesharak dhe joserioz i VMRO-së, sepse ata janë në qeveri. Nëse mendojnë se ka shkelje të Kushtetutës ata duhet përmes rrugëve ligjore të veprojnë dhe këtë dukuri ta sanksionojnë. Nëse mendojnë se nuk ka shkelje të Kushtetutës atëhrë veprimi i tyre është tejet qesharak dhe vetëm tentim për tërheqje të vëmendjes së qytetarëtve nga problemet reale dhe serioze në Maqedoni.” thotë Najçevska për reagimin e VMRO-së. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button