fbpx

Edi Rama nuk heq dorë: Maqedonia ta respektojë MO-në nëse do NATO-n

Në të parën seancë parlamentare ku ishte i pranishëm që pas samitit të Uellsit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë një panoramë të këtij evenimenti të rëndësishëm ndërkombëtar dhe posaçërisht qëndrimet që Shqipëria mbajti në të.

Shefi i qeverisë garantoi se Shqipëria do të jetë përkrah partnerëve ndërkombëtarë, SHBA dhe BE-së, për çdo aksion në mbrojtje të sigurisë dhe lirisë, transmeton Top Channel.

“Të shtrënguar nga sulmet që do vijnë në përshkallëzim të koalicionit ndërkombëtar, mercenarët terroristë do përpiqen të gjejnë strehë në kthim në vendet e origjinës, duke kërcënuar të eksportojnë barbaritë e treguara përditë në Siri dhe Irak. Qëndrimi shqiptar u përmblodh në nevojën për të përfshirë sa më shpejt në NATO vendet e Ballkanit”, deklaroi Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare bëri të qartë mbështetjen e Shqipërisë për politikën e dyerve të hapura të NATO-s, veçanërisht për vendet e rajonit, marrëdhënies së struktuar të Kosovës me Aleancën, si dhe zbatimin rigoroz të Marrëveshjes së Ohrit, si kërkesa që Shqipëria i mëshoi me forcë në Uells.

“Duke kërkuar që të përfshihet edhe çështja e pazgjidhur, sipas nesh, e Marrëveshjes së Ohrit, Shqipëria nuk synon ta vështirësojë rrugën e integrimit të këtij vendi fqinj. Absolutisht jo. Ne besojmë se vendosja e standardeve demokratike në marrëdhëniet me shqiptarët e Maqedonisë, duke zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, do krijojë kushte për një të ardhme të qëndrueshme të Maqedonisë, si dhe një hap në konsolidimin e rajonit ndaj kanosjes së ekstremizmit islamik”, theksoi Rama.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close