Grubi – Zander, të shqetësuar për standardet e dyfishta në drejtësi

Sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Deputeti nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim Artan Grubi, ka pritur në një takim pune Zëvendës Ambasadorin e Gjermanisë në Shkup, Hans Helge Zander.

Deputeti Grubi dhe Zander diskutuan për zhvillimet politike në vend, punimet në Kuvend, ndryshimet kushtetuese, marrëdhëniet ndëretnike dhe integrimin EuroAtlantik.

Grubi shprehu mirënjohje të thellë për interesimin e Gjermanisë në drejtim të Ballkanit Perendimor që u manifestua me takimin midis ndërmjetësit e OKB për çështjen e emrit Metju Nimic me kancelaren gjermane Angela Merkel, më pastaj me deklaratat e njëpasnjëshme të zyrtarëve më të lartë gjerman për nevojën e zgjidhjes së kontestit dhe më në fund me samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin.

Pikërisht ky angazhim i madh i Berlinit është i mirëpritur nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë sepse pa përfshirjen e drejtpërdrejt të komunitetit ndërkombëtar, nuk mund të ketë zgjidhje të çështjes së hapur me Greqinë.

Mbyllja e kontestit hap rrugën për anëtarësim në NATO me ç ‘rast relaksohen ndjeshëm marrëdhëniet ndëretnike në vend që do të na mundësojë fokusim të energjive drejt marrjes së datës për fillim të negociatave me BE dhe zbatim të reformave.

Deputeti Grubi përsëriti shqetësimet për urgjencën e reformimit të gjyqësorit dhe prokurorisë sepse praktikimi i standardeve të dyfishta nga gjykatës dhe prokuror të caktuar po cënojnë marrëdhëniet midis komuniteteve etnike dhe fetare si dhe bashkëjetesën midis qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button