Dy milionë euro më shumë do të akordohen për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Dy milionë euro më shumë do të akordohen për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, në vitin 2015.

Nga hartimi i deritanishëm i Buxhetit të Shtetit, për vitin 2015, mësohet se Qeveria planifikon të ndajë gjithsej 11 milionë euro për Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, vlerë kjo që shënon rritje me rreth 2 milionë euro.

I pyetur mbi këtë çështje, zv.kryeministri Musa Xhaferri thotë për gazetën maqedonase “Utrinski vesnik”, se punësimet në bazë të Marrëveshjes së Ohrit do të vazhdojnë edhe më, deri në arritjen e nivelit adekuat të përfaqësimit të shqiptarëve në administratën shtetërore dhe publike.

“Në rrjedhë e sipër është dhe konkursi për pranimin e 150 administratorëve të rinj. Një numër i konsiderueshëm i administratorëve të pranuar me konkurset e mëparshme udhëhiqen ende nga Sekretariati për Implementim e MO-së dhe presin të sistematizohen në vendet e tyre të punës. Një numër i tyre është sistematizuar tashmë në disa institucione shtetërore si financa, kulturë, arsim…, por edhe këta ende evidentohen si të punësuar në Sekretariat, për shkak të proceduarve burokratike të ndërlikuara”, thotë Xhaferri.

Ai shton se Sekretariati për Implementimin e MO-së është dukë përgatitur një analizë të detajuar për të gjitha punësimet e deritanishme të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike, për të mësuar me saktësi numrin e të pranuarve, të atyre që janë sistematizuar në vendet e punës, si dhe të punësuarve që marrin rroga, por nuk janë të angazhuar.

Lajme të ngjashme

Back to top button