Kollaj republikat, vështirë bërlloku e asfalti

Sado që të duket e kotë rishpallja e “Republikës së Iliridës”, deklarata e së enjtes e nënvizon edhe një herë bankrotin e idesë politike shqiptare në Maqedoni. Njëzetë vite më vonë, lajmet e ditës mbushen me një ngjarje që kthehet si déjà vu nga viti 1992, por që në fakt nuk mbahet mend nga një pjesë e konsiderueshme e trupit aktual votues.

Shumëçka mund të ishte ndryshe në njëzet vitet e kaluara, por një gjë është dëshmuar: ka kaluar koha e shpalljes së republikave e referendumeve. Gjenerata aktuale komunikon me shtypje gishti dhe internet pa kabllo – kërkesat kanë ndryshuar pavarësisht faktit se udhëheqësit politikë nuk kanë kapacitet për t’i dëgjuar nevojat që vështirë depërtojnë në errësirën e krijuar.

Ndërkohë që ideja për “Republikë të Iliridës” është shkelur nga koha, ajo dallohet vetëm sipas ekstremitetit dhe gjasave të pakta për realizim në një mjedis ku as partitë tjera shqiptare nuk shquhen me ndonjë platformë joshëse për elektoratin. Të rrahur me baticat e zbaticat e demokracisë së mangët, por edhe të lodhur me manipulime dhe skema për riciklim politik, votuesit e kanë avancuar shqisën e nuhatjes. Andaj, vështirë i besojnë planeve për referendume, si që nuk nxehen nga folklori për flamur e Skënderbe ose harta të cilave i ka kaluar afati.

Nga ky aspekt, era e naftalinës nuk është veçori unike vetëm për “republikën shqiptare” brenda Maqedonisë së sotme. Ka edhe shumë ide tjera që janë po aq të skaduara, por që mbahen në qarkullim me fushatë të fuqishme mediatike dhe shantazh të sofistikuar partiak, duke i fshehur problemet reale për të cilat mungon kapaciteti dhe aftësia. Merreni shembullin e premtimeve parazgjedhore, që në fakt janë momentet e vetme kur strukturat partiake e marrin mundin e shpalosjes së propozimeve, pa çka se e dinë se ato janë të pakapshme.

Të dalësh sot me propozim për “Republikë të Iliridës” është po aq joatraktive sa t’i drejtohesh votuesve vite dhe vite me folklor emocional për Skënderbeun dhe flamurin, gjuhën dhe dheun e ëmbël si mjalta. Edhe atëherë kur mund të jenë çështje legjitime, ato nuk e zgjidhin problemin e votuesve në jetën reale.

Kjo është arsyeja pse votuesit gjithmonë e më shumë motivohen me kesh, premtime për vende pune ose një mbushje telefoni. Humbja e besimit në legjitimitetin dhe idetë partiake nuk mund të rifitohet me premtime megalomane. Thënë shkurt, vështirë i besohet premtimeve për krijimin e një republike të re, buxhete proporcionale ose presione për futje në NATO e BE, kur pothuajse asnjë udhëheqës lokal nuk ka takat as për ta pastruar bërllokun mëhallave të komunës.

Votuesit shqiptarë kanë probleme të nivelit bazik dhe fatkeqësisht, shumë pak prej tyre janë zgjidhur në periudhën demokratike. Është e lehtë që për këtë të fajësohen politikanët maqedonas – që assesi nuk mund të amnistohen për shtypjen sistematike dhe institucionale – por për një pjesë bukur të madhe, faji dhe përgjegjësia qëndron mbi patriotët profesionalë që prezantohen si mbrojtës të interesit shqiptar. Interes që me mjeshtëri është ngritur në formulë flamur-gjuhë-administratë, për ta ruajtur gardhin e çështjeve të grupit 20%. Kjo për arsye se nëse dilet përtej gardhit të paracaktuar, del në pah paaftësia për ujësjellës e asfalt, çerdhe në fshatra dhe parqe për fëmijë.

Si edhe gjithçka tjetër, edhe idetë kanë afat skadimi, qoftë edhe atëherë kur afati shprehet në qindra vite. Krejt kjo lidhet me besimin dhe mbështetjen e sinqertë, që i jep jetë idesë, madje edhe kur duket se është krejt e pakapshme. Për idetë në tregun aktual, gjasat janë të pakta. Këta që sot prezantohen si pushtet e opozitë ndër shqiptarë, jo vetëm që nuk kanë ide, por as që kanë haber ku ta shpiejnë popullin pas njëzet viteve. Kur krahasohet niveli arsimor dhe profili i politikanëve të fillimit të nëntëdhjetave, me këta të degave të sotme, kah viti 2040 mund të presim ringjallje të nismës për legalizimin e emrave shkollorë në Çair.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button