ARM do të blejë avionë ushtarak me kredi?!

Autoritetet ushtarake në Shkup nuk përjashtojnë mundësinë që së shpejti, edhe Armata e R.Maqedoni-së, pas “recetës” së Serbisë fqinje, me kredi të blejë avionë ushtarak, njofton gazeta serbe “Vecernje novosti“.

Lajmi është publikuar së bashku me analizën e informacionit se Forcat Ajrore të ushtrisë serbe, nëpërmjet kredive nga Federata Ruse, do ta modernizojnë flotën me gjashtë avionë “MIG-29M2”.

Zëvendës ministri i mbrojtjes së Maqedonisë, Emil Dimitriev, deklaroi se “të gjitha opsionet janë të hapura” dhe nuk përjashtohet mundësia që, njëjtë si Serbia, ashtu edhe Maqedonia, “së shpejti të porosisë avionë me ndihmën e kredive të huaja”.

Sipas tij, marrëveshja e nënshkruar mes Beogradit dhe Moskës, i mundëson Serbisë të realizojë një nga porositë më të mëdha ushtarake në dy dekadat e fundit, ndërsa njëkohësisht vërehet se “për dallim nga Serbia, aviacioni ajror i Maqedonisë ka armatime të pakta mbrojtëse…”

Dimitriev përkujton se numër i madh i shteteve, porositë e pajisjeve ushtarake i bëjnë nëpërmjet shfrytëzimit të këtyre kredive dhe për këtë nuk ka arsye që Maqedonia mos ta bëjë këtë.

Në pjesën ushtarake të aeroportit të Shkupit, thotë gazeta serbe, nga viti 2004, qëndrojnë katër avionë SU-25, të cilat sipas rekomandimeve të NATO-s, janë të shpallura si joadekuate me forcat ajrore të Maqedonisë.

Autoritetet ushtarake në Shkup nuk kanë të ndërtuar qëndrim dhe strategji se çfarë duhet të bëhet me këto katër avionë ushtarak, të blera nga Ukraina në kohën e luftës së vitit 2001. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button